Çështjet pronësore, i bën bashkë të martën në një hotel të kryeqytetit.
Në këtë formë, të martën filloi dita përmbyllëse e projektit “PIAKOS”, ku u prezantuan rezultatet në fushën e regjistrimit të pronës.
I ftuar këtu, ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ky i fundit foli për rezultatet e bashkëpunimit të qeverisë që e drejton me Qendrën për Avokim dhe Trajnime, përmes programit “PIAKOS”.
“Për më pak se sa një dekadë, është 300-fishuar regjistrimi i pronave nga të dy bashkëshortët. Në vitin 2016, kanë qenë rreth 100 prona, në tërë Kosovën, që janë regjistruar në emrin e të dy bashkëshortëve të një çifti, dhe sot që po flasim, kjo shifër është rreth 31,000. Pra, kemi një rritje 300-fish të numrit të regjistrimit të pronave në emër të të dy bashkëshortëve”, u shpreh Kurti.
Sfidë në këtë çështje, sipas Kurtit, mbetet mosbashkëpunimi i Serbisë.
“Sfidë e veçantë është se janë bërë më shumë se 15 vjet që Serbia nuk na ka dorëzuar dokumentacionin kadastral, edhe pse marrëveshja ndërshtetërore në Bruksel është nënshkruar me datë 2 shtator 2011. Pra, në muajin e kaluar janë bërë 15 vjet që Bashkimi Evropian u ka dhënë 2 milionë euro Beogradit zyrtar donacion, e ata s’na e kanë dorëzuar as kopjen e dokumentacionit kadastral, se le më origjinalin. E pavarësisht këtyre sfidave, institucionet e shtetit dhe shoqëria civile po punojnë bashkë që të bëjnë më të mirën e mundshme për qytetarët”, tha ai.
E arritjet e këtij projekti trevjeçar, i tregoi zëvendësdrejtoresha e Bankës Botërore për Kosovën, Jane Millicent Sprouster.
“Rezultatet e kësaj fushate janë mbresëlënëse: rreth 7,000 familje nga sfondet e ndryshme janë takuar përmes fushatës derë më derë. Mbi 5,000 të rinj kanë mësuar për të drejtat e tyre pronësore përmes takimeve në shkolla, kampeve verore dhe aktiviteteve interaktive në të gjitha komunat e Kosovës. 2,000 familje kanë marrë ndihmë juridike nga juristët dhe më shumë se 1,800 profesionistë ligjorë janë trajnuar që ta kryejnë këtë punë”, u shpreh ai.
Ndërsa drejtori ekzekutiv i ATRC-së, Kushtrim Kaloshi, u shpreh se çështja e pronësisë është më shumë se sa dokumentacion.
“Është çështja është më e thellë se kaq. Flasim për sigurinë e një familje, flasim për pavarësinë ekonomike të një familje, të një gruaje, mundësitë e një të riu, dhe mbi të gjitha, për dinjitetin dhe barazinë e një qytetari”, tha ai.
Në kuadër të aktivitetit është shfaqur edhe dokumentari “Bëje tënden. Regjistroje pronën”, përmes të cilit janë prezantuar funksionet, aktivitetet, përfituesit dhe rezultatet e projektit.








