Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar të martën në Prishtinë se, Serbia nuk ia ka dorëzuar Kosovës ende dokumentacionin kadastral, pavarësisht marrëveshjes së arritur në vitin 2011, në Bruksel.
Kurti shtoi se Beogradi zyrtar nuk ka dorëzuar asnjë kopje të dokumentacionit.
“Sfidë e veçantë është se janë bërë më shumë se 15 vjet që Serbia nuk na ka dorëzuar dokumentacionin kadastral, edhe pse marrëveshja ndërshtetërore në Bruksel është nënshkruar me datë 2 shtator 2011. Pra, në muajin e kaluar janë bërë 15 vjet që Bashkimi Evropian u ka dhënë 2 milionë euro Beogradit zyrtar donacion, e ata s’na e kanë dorëzuar as kopjen e dokumentacionit kadastral, se le më origjinalin. E pavarësisht këtyre sfidave, institucionet e shtetit dhe shoqëria civile po punojnë bashkë që të bëjnë më të mirën e mundshme për qytetarët”, theksoi Kurti.
Në këtë event përmbyllës i projektit PIAKOS, me temën “Nga e drejta në veprim”, ku janë prezantuar aktivitetet dhe rezultatet e projektit në fushën e regjistrimit të pronës, Kurti gjithashtu bëri të ditur se regjistrimi i pronave në emër të të dy bashkëshortëve është rritur 300-fish brenda më pak se një dekade, ndërsa ka theksuar rëndësinë e dokumentacionit pronësor për sigurinë juridike, mirëqenien dhe dinjitetin e familjeve.







