Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar të hënën një takim lamtumirës me komandantin e KFOR-it në largim, Ozkan Ulutash, me të cilin ka diskutuar për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it, si dhe rrugën drejt anëtarësimit në NATO.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se e ka falënderuar Ulutashin për bashkëpunimin dhe bashkërendimin gjatë dy mandateve të tij në krye të KFOR-it.
Ai ka theksuar se komunikimi me komandantin ka qenë konstruktiv, duke shtuar se Ulutash largohet nga Kosova si mik, me të cilin do të ruhen kujtime të mira.
“Në dy mandatet e tij të komandës së KFOR-it, komunikimi me Gjeneralmajor Özkan Ulutaş ka qenë konstruktiv, ndërsa ai largohet nga vendi ynë si mik me të cilin do të ruajmë kujtime të mira. Në takimin lamtumirës sot, e falënderova për bashkëpunimin e bashkërendimin.Biseduam për rrugën drejt anëtarësimit në NATO, por edhe për zhvillimet aktuale politike, për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës, për ndërveprimin e mirë të institucioneve të Republikës e KFOR-it, si dhe për mundësitë konkrete të zgjerimit dhe thellimit të tij”, ka shkruar Kurti.
Ndryshe, Gjeneralmajori turk, Ozkan Ulutash, më 3 tetor 2025 ka rimarrë detyrën e komandantit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Ai e ka zëvendësuar në krye të KFOR-it gjeneralmajorin italian, Enrico Barduanin, i cili më 11 tetor 2024 kishte marrë udhëheqjen e misionit pikërisht nga gjenerali Ulutash./teve1.info/







