Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), përmes Akademisë Diplomatike të Kosovës, ka hapur edicionin e 12-të të Shkollës Diplomatike për Diplomatë të Rinj, me pjesëmarrjen e 49 diplomatëve nga vende të ndryshme të botës dhe nga Kosova.
Sipas MPJD-së, edicioni i sivjetmë do të mbahet nën temën “Shtetet e Vogla – Diplomaci e Mençur: Siguria dhe Bashkëpunimi Ndërkombëtar në Kohë të Pasigurisë Globale”.
Në ceremoninë e hapjes kanë marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Kurti ka theksuar rëndësinë e përvojës së Kosovës në diskutimet mbi sfidat që po ndikojnë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ai e ka vlerësuar rolin e diplomacisë, dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në rrugëtimin e Kosovës drejt forcimit të shtetësisë dhe rritjes së rolit të saj në arenën ndërkombëtare.
Kurti ka theksuar se diplomatët, pavarësisht vendeve që përfaqësojnë, kanë përgjegjësi të përbashkët për ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe afrimin e popujve përmes dialogut.
Sipas tij, lidhjet e krijuara gjatë këtij edicioni mund të shërbejnë si bazë për partneritete të qëndrueshme në të ardhmen.
Ndërkaq, zëvendësministri Kreshnik Ahmeti ka vlerësuar rëndësinë e Shkollës Diplomatike në shkëmbimin e përvojave, nxitjen e dialogut dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ai ka theksuar se rrugëtimi diplomatik i Kosovës pasqyron transformimin e vendit nga një territor nën administrim ndërkombëtar në një shtet të pavarur, me përfaqësim diplomatik dhe konsullor në vende të ndryshme të botës.
Ahmeti gjithashtu ka nënvizuar rëndësinë e diversitetit të perspektivave, debatit konstruktiv dhe edukimit diplomatik, duke theksuar përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave demokratike, sigurisë dhe stabilitetit rajonal e ndërkombëtar.
Në këtë edicion do të marrin pjesë 39 diplomatë të rinj nga vende të ndryshme të botës dhe 10 diplomatë nga MPJD-ja e Kosovës.
Programi do të zgjasë gjashtë ditë, gjatë të cilave pjesëmarrësit do të ndjekin ligjërata, diskutime dhe sesione tematike me diplomatë dhe ekspertë të fushave përkatëse, me fokus në sfidat e diplomacisë bashkëkohore, sigurinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar./teve1.info/







