Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur në takim senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, me të cilët ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për rikthimin e Dialogut Strategjik mes dy vendeve.
Sipas njoftimit të Presidencës, Shiroka-Pula ka theksuar rëndësinë e mbështetjes amerikane dhe të thellimit të partneritetit strategjik, duke nënvizuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet synim parësor i vendit.
“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara është kyçe në këtë rrugëtim. Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin”, thuhet në njoftimin e Presidencës, ku citohet presidentja.
Në takim është diskutuar edhe për nevojën e rikthimit të Dialogut Strategjik si instrument për thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e prioriteteve të përbashkëta.
Sipas komunikatës, presidentja e ka falënderuar senatoren Jeanne Shaheen për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm ndaj Kosovës, veçanërisht për mbështetjen e saj për vazhdimin e pranisë ushtarake amerikane në kuadër të KFOR-it.
“Letra e dërguar Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, është cilësuar si iniciativë shumë domethënëse, duke theksuar se kjo prani ka rëndësi të jashtëzakonshme strategjike për sigurinë e Kosovës dhe parandalimin e tensioneve në rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në komunikatë rikujtohet edhe reagimi i senatores Shaheen pas sulmit në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe thirrja e saj për vënien para përgjegjësisë të autorëve.
Në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe kontributin në forcimin e sigurisë, ruajtjen e paqes dhe promovimin e stabilitetit në rajon, presidentja Shiroka-Pula i ka ndarë senatores Jeanne Shaheen Medaljen Presidenciale të Meritave.
Sipas njoftimit të Presidencës, kjo është dekorata e parë e akorduar nga Shiroka-Pula që nga marrja e mandatit.







