Pankartat kësaj radhe i drejtuan nga Gjykata Supreme.
Kjo pas protestës që mbajtën javën e kaluar para Komunës së Prishtinës.
Kështu mbi 380 punëtorë të Ndërmarrjes Publike Banesore, po hyjnë në muajin e tretë pa paga.
E nga Gjykata Supreme e kanë vetëm një kërkesë, lënda e tyre të shqyrtohet sa më shpejt.
“Nuk po kërkojmë ndërhyrje në drejtësi, po kërkojmë që drejtësia të mos të vonohet, kur në mes është jeta e familjeve tona. Edhe pse jemi të lodhur nga mosmarrja e pagës, ne prapë po vazhdojmë të punojmë ashtu siç kemi punuar deri më sot. Po vazhdojmë të jemi sa më afër qytetarëve në shërbim”, ka thënë organizatori, Xhevat Prebreza.
Pas fjalimit, Prebreza hyri në objektin e Gjykatës Supreme për të kërkuar përgjigje lidhur me lëndën.
Ndërsa, në pritje të një përgjigje, punëtorët shprehen vështirësi financiare me të cilat po përballen tash e tre muaj.
“Është shumë me vështirë pa paga, se puna duhet të bëhet, ama pagat kemi hy në të tretin muaj që nuk ka paga. Lusim gjykatën që të na përshpejtojë edhe shpejtësinë që të na e tregoj lënda se çfarë do të bëhet me ne”, tha punëtori i NPB-së, Lavdim Zuka.
“Vështirësi ka, kemi obligime, kemi obligime sikur nëpër banka, dikush kredi, dikush ka obligime të tjera familjare, gjithçka. Nuk po mundemi me ia dalë. Gjykata le të na i zhbllokojnë çka po thonë, llogaritë apo diçka çka i kanë ata problemet e veta”, ka thënë punëtori tjetër, Safet Gajtani.
Gjykata Supreme të premten njoftoi se lënda është pranuar dhe regjistruar më 21 gusht 2026 dhe se aktualisht është në shqyrtim.
Nga kjo gjykatë kanë kërkuar respektimin e pavarësisë gjyqësore, pa dhënë afat për përfundimin e shqyrtimit.
Por, kjo përgjigje nuk i ka bindur punëtorët.
“Neve nuk na u dukë ajo që është as bindëse sepse të gjitha lëndë të tjera trajtohen me shpejtësi dhe në kohë rekord, kurse lënda jonë me 380 punëtorë duhet të presë. Kjo është e papranueshme për të gjithë ne. Duke t’i shtuar edhe këtë faktin që ne kemi për t’u mbajtur familje”, ka deklaruar nje punëtor tjetër, Valdet Sylejmani.
Pas takimit me përfaqësuesen e Gjykatës Supreme, organizatori i protestës, ua përcolli punëtorëve përgjigjen që mori.
“Ne biseduam me zëvendësen e gjykatës. Nuk na dha premtim datën se kur do të kryhet, mirëpo na tha që me prioritet do ta marrin lëndën e juaj dhe do ta përshpejtojmë”, ka përfunduar Prebreza.
Llogaritë e NPB-së janë të bllokuara në kuadër të një kontesti gjyqësor që lidhet me projektin në lagjen Lakrishtë.
Gjykata Komerciale e ka obliguar ndërmarrjen të paguajë rreth 32.5 milionë euro në emër të fitimit të humbur për tri kompani private.






