Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i udhëhequr nga guvernatori Ahmet Ismaili, po merr pjesë në Takimet Vjetore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupit të Bankës Botërore, që mbahen në Bangkok të Tajlandës, nga 12 deri më 18 tetor.
Sipas njoftimit të BQK-së, gjatë këtyre takimeve delegacioni kosovar do të zhvillojë takime bilaterale dhe multilaterale me përfaqësues të lartë të FMN-së, Bankës Botërore, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe bankave qendrore.
Në fokus të diskutimeve do të jenë zhvillimet e fundit ekonomike dhe financiare, rreziqet për stabilitetin financiar dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit institucional.
Guvernatori Ahmet Ismaili pritet të prezantojë zhvillimet kryesore të sektorit financiar në Kosovë, progresin në zbatimin e reformave dhe prioritetet strategjike të BQK-së.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet forcimit të stabilitetit financiar, avancimit të mbikëqyrjes dhe kornizës rregullative, modernizimit të sistemeve të pagesave dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian.
Sipas BQK-së, gjatë takimeve do të shqyrtohen gjithashtu rezultatet e programeve të bashkëpunimit dhe asistencës teknike, si dhe mundësitë për mbështetje të mëtejshme në zbatimin e reformave dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit financiar.
Pjesëmarrja në këto takime synon forcimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe përfaqësimin e Kosovës në diskutimet mbi zhvillimet dhe sfidat e sistemit financiar global.
“Takimet Vjetore të FMN-së dhe BB-së mbledhin guvernatorë të bankave qendrore, ministra të financave, drejtues të institucioneve financiare ndërkombëtare, përfaqësues të sektorit privat, shoqërisë civile dhe akademisë, për të diskutuar perspektivat ekonomike globale, stabilitetin financiar dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/







