Ish-futbollisti italian, Daniele Adani ka bërë kritika të ashpra në drejtim të Edon Zhegrovës.
Në studion e emisionit “La Domenica Sportiva”, ku Adani është i angazhuar si analist, duket se nuk ka mbetur aspak i kënaqur me paraqitjen e Zhegrovës.
Në fakt, Zhegrova ishte ndër më të dalluarit në barazimin e Juventusit 1:1 ndaj Cagliarit, ndeshje kjo në të cilën luajti gjatë tërë pjesës së dytë.
Për 45 minuta lojë sa ishte në fushë, Zhegrova i dha ritëm lojës së Juventusit dhe pati gjuajtje në portë, driblime të suksesshme dhe tentime për ti ndihmuar sulmuesit.
Megjithatë, Adani ka pasur mendim krejtësisht tjetër për Zhegrovën, duke shtuar se nuk është lojtar për Juventusin.
“Zhegrova nuk është lojtar i nivelit të Juventusit. Ai është lojtar që luan gjysmë ore, Juve nuk mund të ketë këso lojtarësh. Ai është lojtar që mund të luaj për ekipe në mesin e tabelës”, tha ndër të tjera Adani.
Zhegrova 27-vjeçar në sezonin aktual ka 2 gola dhe 1 asistim në pesë ndeshje kampionale.




