Psikologë nga Kosova dhe Shqipëria u bënë sërish bashkë këtë të diel.
Kjo, në ditën e dytë të Kongresit Ndërkombëtar “Shëndeti mendor, sfidat dhe e ardhmja”.
Para prezantimit të hulumtimeve, në nderim të pjesëmarrësve u intonuan dy himnet kombëtare.
E para që prezantoi hulumtimin e saj ishte psikologia nga Shqipëria, Elisabeta Gjonpali.
Ajo ndau rezultatet e një studimi dyvjeçar për rëndësinë e shëndetit mendor të nënave pas lindjes.
“Një gjë që kam vënë re në sistemet shëndetësore në Shqipëri është që pas lindjes, nënat nuk kalojnë në një ekip multidisciplinar ose në një vlerësim, qoftë dhe për identifikimin e problematikave emocionale të paslindjes. Gjithashtu, është vënë re që dhe në vizitat e para pas gjashtë jave lindjeje, po prapë nuk kalojnë një test depistues ose identifikues nëse kjo nënë po kalon një problematikë shëndetësore”, u shpreh Elisabeta Gjonpali –psikologe.
Ndërkohë, në kongres u trajtuan edhe çrregullimet neurologjike, përfshirë afazinë, e cila mund të ndikojë në të folur.
Për këtë çrregullim foli logopedja Natyrа Maloku.
“Të ndalemi pak te afazia për shkak se tre vitet e fundit është shfaqur shumë, përdorur edhe nga çrregullimet neurologjike të tjera. Është një, deficit apo një çrregullim, i çfarëdo që fundit ka marrë shumë shumë progres negativ ndaj secilit individ dhe, afazia është një ndër çrregullimet që prek kuptimin, që prek të folurin, që prek artikulimin, zërin, pra të gjitha pjesët orofaciale apo pjesët e organit të të folurit, të gjitha janë të prekura tek pjesa e deficitit të afazisë”, tha ajo.
Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, u prezantuan edhe hulumtime për ndikimin e sëmundjes në shëndetin mendor të grave.
Psikologia Zana Lipoveci Kastrati foli për frikën, ankthin dhe pasigurinë me të cilat përballen gratë gjatë kësaj periudhe.
“Do të thotë kur kanë kaluar fazën e parë të këtij kanceri të gjirit në njërën anë, ku thamë në anën tjetër, atëherë 100% ka qenë frika dhe ankthi, patjetër e paraqitshme. 85% kanë qenë pasiguria, ka hyrë pak edhe frika në një përqindje të vogël. Mënyra e përballimit ka qenë niveli i 29%, do të thotë thjesht janë dorzu me vazhdimin e semundjes, sepse kanë menduar që okek, ndodhi prapë, tashmë nuk kemi zgjidhje” tha ajo.
Një tjetër temë e trajtuar ishte mënyra se si të rinjtë në Kosovë e shohin të ardhmen e tyre.
Psikologia Anila Shala prezantoi të dhëna për orientimin e të rinjve të moshës 18 deri në 29 vjeç.
“Sa i përketë orjentimit në të ardhmen siç e shohim e kemi që të rriturit në zhvillim mosha 18-29 kanë një orjentim më të madh ndaj të ardhmes dhe nuk është rastësi. Në bazë të studimeve, por edhe të qasjeve teorike kjo grup mosh kanë shumë vendime për me marr në jetë: çka të studioj?, çka të punoj?, me kë dua të kaloj jetën?. Janë krejt këto tematika që e preukupojnë një moshë të till”, tha ajo.
Ky është edicioni i tetë i Kongresit Ndërkombëtar “Shëndeti mendor, sfidat dhe e ardhmja” e cila bën bashkë Shoqatën e Psikologëve të Kosovës dhe atë të Shqipërisë.



