Komandanti aktual i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur në selinë e misionit në Prishtinë gjeneralmajorin Roberto Vergori, i cili pritet të marrë drejtimin e ardhshëm të KFOR-it.
Sipas njoftimit të KFOR-it, takimi është mbajtur në selinë e misionit, në Camp Film City, në kuadër të përgatitjeve për transferimin e komandës.
Gjatë ditëve në vijim, Ulutaş dhe Vergori do të bashkëpunojnë ngushtë në procesin e tranzicionit, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së aktiviteteve dhe operacioneve të misionit.
Ceremonia e transferimit të komandës së KFOR-it është planifikuar të mbahet më 14 tetor 2026, në selinë e misionit në Prishtinë.
KFOR-i ka ritheksuar se mbetet i përkushtuar në zbatimin e mandatit të tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.
Misioni i udhëhequr nga NATO-ja synon të kontribuojë në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes./teve1.info/







