Në Prishtinë janë mbajtur konsultimet politike ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës (MPJD) dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Japonisë, në kuadër të dialogut të rregullt politik dhe institucional ndërmjet dy vendeve.
Sipas njoftimit të MPJD-së, konsultimet u kryesuan nga sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Ilir Muçaj, dhe ambasadori i ngarkuar për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Japonisë, Naoki Takahashi.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e të dy vendeve diskutuan për marrëdhëniet politike Kosovë–Japoni, bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, si dhe mundësitë për zhvillimin e iniciativave të reja për thellimin e bashkëpunimit bilateral.
Në fokus të diskutimeve ishin edhe zhvillimet dhe sfidat rajonale, çështjet e sigurisë, bashkëpunimi rajonal dhe procesi i integrimit evropian të Kosovës.
Një tjetër temë e konsultimeve ishte zgjerimi i bashkëpunimit në kuadër të organizatave dhe forumeve ndërkombëtare, përfshirë mundësitë për mbështetjen e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Palët shkëmbyen pikëpamje edhe për çështje të tjera me interes të përbashkët, duke theksuar rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit në nivel shumëpalësh.
Në përfundim të konsultimeve, sipas njoftimit, u rikonfirmua rëndësia e dialogut të rregullt politik dhe institucional ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, si dhe gatishmëria e përbashkët për të vazhduar angazhimin në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Qëllimi mbetet zgjerimi i bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë dhe avancimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.







