Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) u ka bërë thirrje fermerëve që t’i kushtojnë kujdes të veçantë mbjelljes së grurit dimëror, duke zbatuar praktikat e duhura bujqësore për të rritur rendimentin dhe cilësinë e prodhimit.
Në një njoftim drejtuar fermerëve, ministria ka theksuar se rendimentet e ulëta të grurit në vend shpeshherë vijnë si pasojë e moszbatimit të agroteknikës së duhur, përdorimit të farërave jocilësore dhe plehërimit të pakontrolluar.
Sipas MBPZHR-së, periudha nga 5 deri më 30 tetor konsiderohet afati optimal për mbjelljen e grurit dimëror, ndërsa mbjellja mund të vazhdojë edhe më vonë nëse kushtet atmosferike janë të favorshme.
Ministria rekomandon që fermerët të përdorin farë të certifikuar dhe të trajtuar kundër sëmundjeve, si dhe të konsultohen me këshilltarët bujqësorë për zgjedhjen e varieteteve më të përshtatshme për kushtet agroekologjike të Kosovës.
Po ashtu, theksohet rëndësia e përgatitjes cilësore të tokës dhe përdorimit të makinave mbjellëse, të cilat mundësojnë shpërndarje të njëtrajtshme të farës dhe mbjellje në thellësi të përshtatshme.
Sa i përket plehërimit, MBPZHR-ja këshillon kryerjen e analizave të tokës për të përcaktuar nevojat për elemente ushqyese.
Sipas rekomandimeve të ministrisë, për një hektar grurë nevojiten mesatarisht 120–160 kilogramë azot, 80–100 kilogramë fosfor dhe 60–80 kilogramë kalium, varësisht nga lloji i tokës dhe para-kultura.
Në rekomandime përfshihet edhe rëndësia e qarkullimit bimor.
Gruri këshillohet të mbillet pas bishtajoreve, si soja, bizelet dhe jonxha, por edhe pas misrit dhe perimeve.
Ndërkaq, mbjellja e grurit për disa vite radhazi në të njëjtën parcelë nuk rekomandohet.
Fermerëve u është bërë thirrje gjithashtu që të kontrollojnë parcelat për baroja të këqija, të sigurojnë kontakt të mirë të farës me tokën pas mbjelljes dhe të monitorojnë paraqitjen e sëmundjeve dhe dëmtuesve gjatë dimrit dhe pranverës.
Për këshilla dhe mbështetje shtesë, ministria i ka udhëzuar fermerët t’u drejtohen këshilltarëve bujqësorë në komunat e tyre, përmes Qendrave Informative Këshilluese Komunale për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, ose Departamentit të Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike të MBPZHR-së në Prishtinë.
Sipas ministrisë, zbatimi i këtyre rekomandimeve synon përmirësimin e prodhimit dhe cilësisë së grurit, si një nga kulturat bujqësore më të rëndësishme në Kosovë./teve1.info/




