TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
Reklamo

Ndërpritet seanca në rastin ku IKD paditi Kuvendin për Komisionin e Jurisprudencës

by teve1
2 orë ago
0
A A
Ndërpritet seanca në rastin ku IKD paditi Kuvendin për Komisionin e Jurisprudencës

Të premten, u ndërpre seanca në rastin ku Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka paditur Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke kërkuar anulimin e vendimit për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

Seanca u ndërpre pasi përfaqësuesi i autorizuar i Kuvendit, Valon Dobruna, kontestoi kompetencën lëndore të Gjykatës Administrative për të vendosur në këtë rast.

Në fillim të seancës, përfaqësuesi i autorizuar i IKD-së, Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, dorëzoi fjalën hyrëse me shkrim dhe e elaboroi shkurtimisht para gjykatës.

Shala tha se IKD mbetet në tërësi pranë kërkesëpadisë së parashtruar, duke theksuar se Kuvendi ka shkelur dispozitat ligjore me rastin e miratimit të vendimit të kontestuar.

“Me qëllim të ekonomizimit të kohës suaj, po deponojmë fjalën hyrëse në formë të shkruar, ndërsa të njëjtën po e elaborojmë vetëm shkurtimisht. Theksojmë se mbetemi në tërësi pranë kërkesëpadisë që kemi parashtruar”, tha Shala.

Ai tha se në fjalën hyrëse të deponuar me shkrim, IKD ka paraqitur kundërargumentet ndaj pretendimeve të palës së paditur, të ngritura në përgjigjen në padi.

Sipas Shalës, IKD ka legjitimitet aktiv për të paraqitur këtë padi, pasi Ligji për Konfliktet Administrative ua njeh të drejtën për të ngritur padi edhe mbrojtësve të interesave kolektive dhe interesave të gjera të publikut.

“IKD vepron pikërisht në këtë cilësi. Ligjshmëria dhe pavarësia e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës lidhen drejtpërdrejt me sundimin e ligjit dhe integritetin e profesioneve juridike”, tha Shala.

Ai po ashtu tha se vendimi i Kuvendit ka natyrë administrative, pasi natyra e aktit nuk përcaktohet vetëm nga organi që e nxjerr, por edhe nga kompetenca që ushtrohet dhe pasojat juridike që prodhon.

Sipas tij, në këtë rast, Kuvendi ka emëruar persona konkretë dhe ka ndërprerë mandatet e anëtarëve ekzistues të Komisionit.

“Gjykata Administrative është kompetente. Në këtë rast nuk kërkohet kontroll kushtetues i vendimit, por kontrolli i ligjshmërisë së tij”, tha Shala.

Ai shtoi se, sipas IKD-së, rezultatet e provimit nuk përbëjnë bazë për shkarkimin e Komisionit, pasi ky është organ i pavarur profesional dhe ligji nuk përcakton përqindje të kalueshmërisë, as nuk e parasheh rigorozitetin e vlerësimit si bazë për ndërprerjen e mandatit.

Në fjalën hyrëse, IKD ka theksuar edhe mungesën e individualizimit të përgjegjësisë, duke pretenduar se pakënaqësitë e përgjithshme, statistikat apo ankesat e kandidatëve nuk provojnë përgjegjësinë individuale të secilit anëtar të Komisionit dhe nuk krijojnë bazë ligjore për ndërprerjen kolektive të mandateve.

Shala tha se rezultatet e Komisionit të ri nuk e bëjnë të ligjshëm vendimin paraprak për ndërprerjen e mandateve.

“Kalueshmëria më e lartë pas ndryshimit të Komisionit nuk provon se ndërprerja e mandateve të mëparshme ka pasur bazë ligjore”, thuhet në fjalën hyrëse të IKD-së.

Në fund, IKD i propozoi gjykatës që ta aprovojë kërkesëpadinë, ta anulojë vendimin e kontestuar dhe ta obligojë Kuvendin për pagesën e shpenzimeve procedurale në shumën prej 250 eurosh, në emër të taksës gjyqësore.

Ndërkaq, përfaqësuesi i autorizuar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dobruna, deklaroi se pala e paditur mbetet në tërësi pranë përgjigjes në padi dhe provave të dorëzuara.

Ai tha se Kuvendi e kundërshton padinë dhe kërkesëpadinë, fillimisht, si proceduralisht të palejueshme, ndërsa, nëse gjykata vendos të hyjë në shqyrtimin e meritave, si të pabazuara.

“Padinë dhe kërkesëpadinë e kundërshtojmë në radhë të parë si proceduralisht të palejueshme dhe, nëse gjykata vendos të hyjë në merita, si të pabazuara”, deklaroi përfaqësuesi i Kuvendit.

Sipas tij, Kuvendi nuk i konteston faktet formale se, me propozimin e Qeverisë, ka miratuar vendimin për emërimin e përbërjes së Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës dhe se, me të njëjtin vendim, është shfuqizuar vendimi paraprak i 15 dhjetorit 2023.

Megjithatë, ai tha se Kuvendi e konteston cilësimin juridik që IKD i bën këtij vendimi, kompetencën e pretenduar të Gjykatës Administrative, legjitimitetin aktiv të paditësit dhe pretendimet se Kuvendi ka vepruar pa kompetencë, pa procedurë dhe pa bazë faktike.

Përfaqësuesi i Kuvendit tha se vendimi i kontestuar është akt juridik parlamentar, i miratuar nga deputetët në seancë plenare, pas propozimit të Qeverisë, shqyrtimit nga komisioni parlamentar përgjegjës, paraqitjes së rekomandimit, debatit dhe votimit.

Sipas tij, fakti që vendimi prodhon pasoja konkrete për përbërjen e mëparshme të Komisionit nuk e shndërron atë automatikisht në akt administrativ.

“Kuvendi nuk ka vepruar si administratë punëdhënëse apo organ që vendos mbi një kërkesë individuale administrative, por si organ kushtetues që ka vendosur në seancë plenare mbi propozimin e subjektit të autorizuar me ligj”, tha ai.

Për këtë arsye, përfaqësuesi i Kuvendit i propozoi gjykatës që, para hyrjes në merita, ta vlerësojë natyrën e aktit dhe kompetencën e saj lëndore, duke kërkuar që padia të hidhet poshtë si e palejueshme.

Ai po ashtu tha se IKD nuk ka dëshmuar legjitimitet aktiv, duke theksuar se IKD nuk është anëtare e përbërjes së Komisionit, nuk është kandidat i prekur dhe nuk ka qenë palë në procedurën e emërimit apo zëvendësimit të Komisionit.

Nëse gjykata vlerëson se janë plotësuar kushtet procedurale për shqyrtimin në merita, përfaqësuesi i Kuvendit tha se Kuvendi ka vepruar brenda kompetencave të përcaktuara me Ligjin për Provimin e Jurisprudencës.

Ai tha se procedura ka qenë e rregullt, publike dhe e dokumentuar, duke shtuar se propozimi është shqyrtuar në Komisionin për Legjislacion, ndërsa në seancë plenare është zhvilluar debat dhe Kuvendi ka vendosur me 63 vota për, katër kundër dhe asnjë abstenim.

Sipas tij, vendimmarrja ka pasur edhe bazë faktike, pasi Ministria e Drejtësisë kishte vlerësuar tri afatet e provimit të mbajtura në prill 2024, nëntor 2024 dhe maj 2025, si dhe kishte pranuar 243 ankesa.

Në materialet dhe debatin para votimit, sipas përfaqësuesit të Kuvendit, janë paraqitur çështje që lidhen me përdorimin e legjislacionit jo në fuqi, mungesën e konsistencës në vlerësim, trajtimin jo substancial të ankesave, mospërputhjet në dokumentim dhe dallimet statistikore në kalueshmëri.

Pas deklarimit të përfaqësuesit të Kuvendit, gjyqtarja Rovena Kastrati konstatoi se, pas kontestimeve lidhur me kompetencën lëndore të Gjykatës Administrative për të vendosur në këtë çështje, seanca ndërpritet.

“Pas kontestimeve të të autorizuarit të palës së paditur lidhur me kompetencën lëndore të Gjykatës Administrative për vendosje në këtë lëndë, gjykata merr aktvendim: Seanca e sotme ndërpritet, ndërsa gjykata, me aktvendim të veçantë, do të vendosë lidhur me kontestimin e kompetencës lëndore të kësaj gjykate nga i autorizuari i palës së paditur”, konstatoi gjyqtarja Kastrati.

Gjyqtarja bëri të ditur se palët ndërgjyqëse do të njoftohen me ftesa të rregullta për seancën e radhës, pas plotësimit të kushteve ligjore për mbajtjen e saj.

Më 20 maj 2026, IKD ka dorëzuar padi në Gjykatën Administrative kundër Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes së cilës ka kërkuar anulimin e Vendimit Nr. 10-V-276/1, të datës 27 prill 2026, lidhur me ndërprerjen e parakohshme të mandatit të Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

Përmes kësaj padie, IKD kundërshton mënyrën se si Kuvendi ka ndërprerë mandatin e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, i cili, sipas Ligjit Nr. 08/L-033 për Provimin e Jurisprudencës, kishte mandat trevjeçar deri më 15 dhjetor 2026.

Në padi thuhet se vendimi i Kuvendit është i kundërligjshëm dhe arbitrar, pasi përmes tij është shfuqizuar vendimi paraprak për emërimin e Komisionit dhe është zëvendësuar e gjithë përbërja e tij, pa asnjë bazë të qartë ligjore, pa procedurë të rregullt dhe pa arsyetim juridik.

Sipas IKD-së, Ligji për Provimin e Jurisprudencës i jep Kuvendit kompetencë vetëm për emërimin e anëtarëve të Komisionit, por nuk parasheh kompetencë për ndërprerjen e mandatit të tyre para kohe.

Në padi theksohet se mungesa e dispozitave ligjore për shkarkim apo ndërprerje të mandatit nuk mund të interpretohet si autorizim për ndërhyrje arbitrare në mandatin e një organi të pavarur profesional.

Në mënyrë specifike, në padi, ndër të tjera, theksohet se “kompetenca për emërim nuk e përfshin automatikisht edhe kompetencën për ndërprerje të mandatit para kohe.

Sikur ligjvënësi të kishte synuar t’i jepte Kuvendit të drejtën për shkarkimin apo zëvendësimin e përbërjes së Komisionit gjatë mandatit, këtë do ta kishte përcaktuar shprehimisht në ligj, duke përcaktuar bazat, procedurën dhe standardet për ushtrimin e kësaj kompetence. Kjo qasje është ndjekur në legjislacionin që rregullon organe të tjera të pavarura”.

Po ashtu, IKD në padi ka theksuar se vendimi i kontestuar nuk përmban asnjë arsyetim lidhur me nevojën për ndërprerjen e mandatit të Komisionit ekzistues, nuk identifikon asnjë shkelje konkrete nga ana e anëtarëve të Komisionit dhe nuk jep asnjë shpjegim për bazën ligjore që ka shërbyer për zëvendësimin e tij para përfundimit të mandatit ligjor.

Në këtë drejtim, IKD konsideron se vendimi i Kuvendit është nxjerrë edhe në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, pasi mungon arsyetimi juridik dhe faktik i aktit administrativ, duke cenuar parimet e ligjshmërisë, sigurisë juridike dhe pritshmërive legjitime.

Për më tepër, IKD në padi ka theksuar se kjo mënyrë e veprimit krijon precedent të rrezikshëm institucional, pasi nënkupton se mandatet e organeve profesionale të emëruara me ligj mund të ndërpriten në çdo kohë, pa kritere të qarta ligjore dhe pa procedurë të rregullt.

IKD gjithashtu ka rikujtuar standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese në rastin KO127/21, lidhur me shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, sipas të cilit mandatet e organeve të pavarura nuk mund të ndërpriten në mënyrë kolektive dhe pa arsyetim konkret individual.

Në padi, IKD ka vlerësuar se Provimi i Jurisprudencës paraqet një mekanizëm me rëndësi të veçantë për sistemin e drejtësisë, pasi ndikon drejtpërdrejt në vlerësimin profesional të juristëve që synojnë ushtrimin e funksioneve kyçe në sistemin gjyqësor dhe juridik në Republikën e Kosovës. Për këtë arsye, sipas IKD-së, përbërja dhe funksionimi i Komisionit duhet të mbështeten në parimet e pavarësisë, stabilitetit institucional dhe ligjshmërisë.

Përmes kësaj padie, IKD i ka propozuar Gjykatës Administrative që ta aprovojë padinë si të bazuar dhe ta anulojë Vendimin Nr. 10-V-276/1 të Kuvendit të Republikës së Kosovës si të kundërligjshëm.

Në anën tjetër, në përgjigjen në padi, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka kërkuar që padia e IKD-së të hidhet poshtë si e palejueshme, duke kontestuar legjitimitetin aktiv të IKD-së, kompetencën lëndore të Gjykatës Administrative dhe cilësimin e vendimit të kontestuar si akt administrativ.

Sipas Kuvendit, IKD nuk është anëtare e përbërjes së mëparshme të Komisionit, nuk është kandidat i prekur dhe nuk ka qenë palë në procedurën e emërimit apo zëvendësimit të Komisionit, ndërsa e drejta e organizatave joqeveritare për ta monitoruar mbajtjen e Provimit të Jurisprudencës nuk krijon statusin e palës në procedurën parlamentare.

Kuvendi ka pretenduar se vendimi i kontestuar është akt juridik parlamentar dhe jo akt administrativ, pasi është miratuar nga deputetët në seancë plenare, pas propozimit të Qeverisë, shqyrtimit nga komisioni parlamentar përgjegjës, paraqitjes së rekomandimit, debatit dhe votimit.

Sipas Kuvendit, fakti që vendimi prodhon pasoja konkrete për përbërjen e mëparshme të Komisionit nuk e shndërron atë automatikisht në akt administrativ, ndërsa Gjykata Administrative, para hyrjes në merita, duhet ta vlerësojë natyrën juridike të aktit dhe kompetencën e saj lëndore.

Nëse gjykata vlerëson se janë plotësuar kushtet procedurale për shqyrtimin në merita, Kuvendi ka propozuar që padia të refuzohet si e pabazuar.

Në përgjigjen e tij, Kuvendi ka theksuar se ka vepruar në bazë të Ligjit për Provimin e Jurisprudencës, duke pretenduar se ministri i Drejtësisë propozon përbërjen e Komisionit, Qeveria e miraton propozimin dhe Kuvendi e emëron Komisionin.

Sipas Kuvendit, mandati trevjeçar paraqet kufirin maksimal kohor të ushtrimit të funksionit nga e njëjta përbërje, por ligji nuk e përcakton këtë mandat si të parevokueshëm dhe nuk ndalon miratimin e një përbërjeje të re.

Kuvendi ka pretenduar se procedura ka qenë e rregullt, publike dhe e dokumentuar, duke theksuar se propozimi është shqyrtuar në Komisionin për Legjislacion, ndërsa në seancë plenare është zhvilluar debat dhe vendimi është miratuar me 63 vota për, katër kundër dhe asnjë abstenim.

Në përgjigjen në padi thuhet se vendimmarrja ka pasur edhe bazë faktike, pasi Ministria e Drejtësisë kishte vlerësuar tri afatet e provimit të mbajtura në prill 2024, nëntor 2024 dhe maj 2025, si dhe kishte pranuar 243 ankesa nga kandidatët.

Sipas Kuvendit, në materialet dhe debatin para votimit janë paraqitur çështje që lidhen me përdorimin e legjislacionit jo në fuqi, mungesën e konsistencës në vlerësim, trajtimin jo substancial të ankesave, mospërputhjet në dokumentim dhe dallimet statistikore në kalueshmëri.

Kuvendi ka theksuar se rasti KO127/21, në të cilin thirret IKD, nuk është drejtpërdrejt i zbatueshëm, pasi ai kishte të bënte me një institucion me status tjetër juridik, ndërsa Komisioni për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës nuk ka të njëjtin status.

Në fund, Kuvendi ka kërkuar që padia të hidhet poshtë si e palejueshme, ndërsa, nëse gjykata vendos të hyjë në shqyrtimin e meritave, ka propozuar që padia dhe kërkesëpadia e IKD-së të refuzohen në tërësi si të pabazuara, si dhe të refuzohet kërkesa për kompensimin e shpenzimeve procedurale./BetimipërDrejtësi

ShareTweet

Postime të ngjashme

Ndalohen punimet në dy objekte ndërtimi në Prishtinë

Ndalohen punimet në dy objekte ndërtimi në Prishtinë

Një person humb jetën si pasojë e një vetaksidenti

​Aksident trafiku në Rudare, përfshihet edhe automjeti i KFOR-it

Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit

Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, këto janë pikat që do të shqyrtohen

Kurti: Eksporti i shërbimeve të ICT-së është pesëfishuar në pesë vitet e fundit

Kurti: Eksporti i shërbimeve të ICT-së është pesëfishuar në pesë vitet e fundit

Ndalohen punimet në dy objekte ndërtimi në Prishtinë

Ndalohen punimet në dy objekte ndërtimi në Prishtinë

Një person humb jetën si pasojë e një vetaksidenti

​Aksident trafiku në Rudare, përfshihet edhe automjeti i KFOR-it

Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit

Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, këto janë pikat që do të shqyrtohen

Kurti: Eksporti i shërbimeve të ICT-së është pesëfishuar në pesë vitet e fundit

Kurti: Eksporti i shërbimeve të ICT-së është pesëfishuar në pesë vitet e fundit

ZRrE licenson Kosovën A dhe B për prodhim të energjisë elektrike

ZRrE licenson Kosovën A dhe B për prodhim të energjisë elektrike

KFOR-i dhe Policia e Kosovës shkëmbejnë përvoja për komunikimin me publikun

Kroacia blen 18 sisteme raketore

KFOR-i dhe Policia e Kosovës shkëmbejnë përvoja për komunikimin me publikun

KFOR-i dhe Policia e Kosovës shkëmbejnë përvoja për komunikimin me publikun

Facebook Youtube Instagram TikTok

TËVË 1

Ky portal mirëmbahet nga televizioni “Tëvë1”. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Tëvë1”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni kushtet e përdorimit.
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

Social Media

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In

Add New Playlist

No Result
View All Result
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën