Një shofer mauneje është gjobitur me 500 euro në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, pasi gjatë kontrollit doganor janë evidentuar parregullsi në sistemin e plombimit të automjetit që transportonte mallra për import.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, sistemi i plombimit mundësonte ndërhyrje edhe pas vendosjes së plombës, duke mos garantuar sigurinë e mallrave gjatë transportit.
Për këtë rast është iniciuar procedurë kundërvajtëse doganore, në bazë të Kodit Nr. 08/L-247 për Doganat dhe Akcizat, për mosrespektim të rregullave të transitit dhe të kërkesave për sigurimin e identifikimit të mallrave.
Si rezultat, ndaj shoferit është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, ndërsa rasti është trajtuar nga autoritetet doganore në përputhje me dispozitat përkatëse ligjore, thuhet në njoftim.




