Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës Presidente e Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga presidentja e re që në fillim të mandatit të saj të paraqesë publikisht qëndrimet dhe angazhimet për dhjetë çështje që, sipas IKD-së, janë me rëndësi për funksionimin e shtetit dhe institucioneve.
IKD ka theksuar se Presidentja ka rol të rëndësishëm në garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve dhe në përfaqësimin e Kosovës brenda dhe jashtë vendit.
Sipas institutit, Kushtetuta i jep Presidentes kompetenca në fusha që lidhen me ligjet, drejtësinë, sigurinë, politikën e jashtme dhe institucionet e pavarura, përfshirë edhe rolin e Komandantes Supreme të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Presidentja duhet të jetë zë i të gjithë qytetarëve, mbi interesat partiake dhe llogaritjet e shumicave të përkohshme politike”, thuhet në reagimin e IKD-së.
Në këtë kuadër, IKD ka paraqitur dhjetë çështje për të cilat kërkon qëndrime të qarta nga Presidentja Shiroka-Pula.
“1. Kushtetuta dhe funksionimi demokratik i institucioneve
2. Dhomat e Specializuara, personat e zhdukur dhe drejtësia për viktimat
3. Partneriteti me SHBA-në, BE-në dhe integrimi euroatlantik
4. Pavarësia nga partitë politike dhe përfaqësimi i të gjithë qytetarëve
5. Kthimi i ligjeve për rishqyrtim dhe mbrojtja e interesit publik
6 . Sundimi i ligjit, drejtësia dhe emërimet në sistemin gjyqësor e prokurorial
7. Lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e institucioneve të pavarura
8. Dialogu me Serbinë, sovraniteti dhe marrëveshjet ndërkombëtare
9. Siguria kombëtare, FSK-ja dhe veriu i Kosovës
10. Të drejtat e njeriut, komunitetet, mirëqenia sociale dhe llogaridhënia para qytetarëve”, thuhet në njoftim.
IKD ka kërkuar gjithashtu që Presidentja Shiroka-Pula të deklarohet publikisht për procesin përmes të cilit është zgjedhur.
Sipas institutit, ajo duhet të sqarojë nëse konsideron se zgjedhja e saj është zhvilluar në pajtim me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe procedurat parlamentare.
Po ashtu, IKD ka thënë se Presidentja duhet të respektojë çdo vlerësim juridik dhe kushtetues lidhur me procesin e zgjedhjes së saj, në rast se çështja dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Në përfundim, IKD ka deklaruar se mandati pesëvjeçar i Presidentes nuk duhet të matet vetëm përmes deklaratave, por përmes veprimeve në mbrojtje të Kushtetutës dhe sundimit të ligjit.
“IKD do ta monitorojë ushtrimin e këtij mandati në raport me Kushtetutën, sundimin e ligjit, interesin publik dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve”, thuhet në reagimin e institutit./teve1.info/







