Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen presidente të Republikës së Kosovës, duke e vlerësuar përmbylljen e procesit institucional si një zhvillim të rëndësishëm për vendin.
“Kosova më në fund ka përmbyllur ciklin e konsolidimit të institucioneve, duke i dhënë fund bllokadave të panevojshme politike dhe zgjedhjeve të vazhdueshme të shkaktuara artificialisht, që e mbanin peng vendin. Ky është një lajm i mirë për stabilitetin dhe për qytetarët tanë”, ka shkruar Gjini.
Ai i ka uruar suksese presidentes së re, ndërsa ka thënë se Aleanca nuk ka marrë pjesë në, siç i ka quajtur ai, “lojërat e diktuara për pushtet” dhe “kalkulimet e minutës së fundit”.
Sipas Gjinit, Aleanca kishte dalë menjëherë pas zgjedhjeve me një ofertë, të cilën ai e ka përshkruar si të qartë, të sinqertë dhe pa kushte, me synim shmangien e një tjetër procesi zgjedhor.
“Oferta jonë pa asnjë kusht, ishte ekskluzivisht parimore, për shtetin dhe për qytetarët, njëjtë si qëndrimi jonë për Specialen dhe vota pro ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Nuk bëmë asnjë pazar dhe secilin premtim dhe qëndrim e mbajtëm deri në fund”, ka deklaruar ai.
Gjini ka thënë se, pas përmbylljes së procesit institucional, përgjegjësia për qeverisjen e vendit u takon atyre që kanë marrë pushtetin.
“Sot, koha e bllokadave mbaroi dhe përgjegjësia absolute u mbetet atyre që morën pushtetin. Prandaj, nga sot, puna jonë zhvendoset në terren”, ka shkruar ai.
Kreu i Aleancës ka paralajmëruar se partia e tij do të veprojë si opozitë dhe do të jetë e pranishme në komunat e Kosovës.
“Aleanca do të jetë çdo ditë në terren, duke takuar e dëgjuar qytetarët në çdo komunë të Kosovës. Ne do të jemi opozitë e pakompromis. Do të flasim hapur dhe me emër për secilën shkelje, në secilin institucion dhe në çdo nivel të këtij pushteti”, ka përfunduar Gjini./teve1.info/







