Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila për gjashtë muaj ka ushtruar detyrën e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, ia ka dorëzuar detyrën Presidentes së zgjedhur, Justina Shiroka Pulës.
Pas dorëzimit të detyrës, Haxhiu ka thënë se Presidentja e re e merr detyrën në një moment që kërkon maturi politike dhe gatishmëri për bashkëpunim.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka theksuar se dallimet do të mbeten pjesë e jetës demokratike, por përgjegjësia e institucioneve është që ato të shërbejnë për debat dhe vendimmarrje më të mirë.
“Detyrat shtetërore na besohen për një kohë, por përgjegjësia për vendin mbetet e përhershme. Me këtë bindje, sot ia dorëzova detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Presidentes së zgjedhur, Justina Shiroka Pula. Presidentja e re e merr detyrën në një moment që kërkon maturi politike dhe gatishmëri për bashkëpunim. Dallimet do të mbeten pjesë e jetës sonë demokratike. Përgjegjësia jonë është të bëjmë që ato të shërbejnë për debat e vendime më të mira, duke ruajtur aftësinë për t’u marrë vesh për çështjet nga të cilat varet e ardhmja e Republikës”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka shprehur mirënjohje për mundësinë që pati për t’i shërbyer Republikës edhe në këtë detyrë, ndërsa Presidentes së re i ka uruar sukses dhe i ka ofruar gatishmëri për bashkëpunim institucional.
“Ndihem e nderuar që pata mundësinë t’i shërbej Republikës edhe në këtë detyrë. Mirënjohjen më të thellë e kam për njerëzit që më besuan dhe më pritën me ngrohtësi. Presidentes Justina Shiroka Pula i shpreha urimet e mia të sinqerta dhe gatishmërinë për bashkëpunim institucional. Suksesi në përmbushjen e përgjegjësive të saj do t’i shërbejë Kosovës, forcimit të pozitës së saj ndërkombëtare dhe besimit të qytetarëve në shtetin e tyre”, ka përfunduar ajo.
Ndryshe, Justina Shiroka Pula është inauguruar të mërkurën si presidente e Kosovës, disa orë pasi u zgjodh në këtë post nga Kuvendi./teve1.info/







