Profesori Emrush Thaci ka vlerësuar se Kushtetuta e Kosovës është shkelur në mënyrë flagrante gjatë viteve të fundit.
Thaci deklaroi në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ku komentoi edhe çështjen e zgjedhjes së presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula.
Deklaratat e tij vijnë pasi avokati Arianit Koci ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e procedurës së zgjedhjes së presidentes Shiroka-Pula.
Votimi për zgjedhjen e saj nisi në minutat e fundit të 6 tetorit dhe vazhdoi për pak kohë edhe më 7 tetor.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, procedura për zgjedhjen e presidentit duhej të përfundonte më 6 tetor.
Në rast të mosrespektimit të këtij afati, parashihej shpërndarja e Kuvendit.
Megjithatë, Thaci ka thënë se Kosova nuk ka kohë për të humbur më tej, pasi, sipas tij, qytetarët kanë humbur mjaftueshëm kohë.
“Unë konsideroj që ka disa vite që është shkelur Kushtetuta në mënyrë flagrante, por unë mendoj që më nuk kemi kohë me humb për arsye që qytetarët e Kosovës janë duke humbur shumë. Prandaj, zgjedhja e presidentit dje më së shumti i është dashur qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Thaci.
Ai ka shprehur shpresën që të mos përsëriten, siç i ka quajtur ai, “adoleshencat politike” që kanë shoqëruar vendin për një kohë të gjatë.
Thaci ka folur edhe për nevojën e bashkëpunimit politik, duke e cilësuar Kushtetutën e Kosovës si “hibride” dhe duke theksuar se një parti e vetme nuk mund t’i marrë të gjitha pozitat politike.
“Duhet pasur parasysh që duhet të jemi tolerantë. Unë kam pritur shumë më herët pjekuri politike se realisht, nëse duam të kemi një qëndrueshmëri institucionale, duhet të bëhet një koalicion VV dhe PDK, për një arsye të vetme që ishin numrat dhe kemi mundur të arrijmë deri te një marrëveshje për bashkëqeverisje”, ka thënë ai.
Sipas Thacit, një bashkëpunim i tillë politik do të ishte në interes të stabilitetit institucional të vendit./teve1.info/







