Ambasadori i OSBE-së, Gerard McGurk, ka mirëpritur zgjedhjen e mbrëmshme të presidentes Justina Shiroka-Pula nga Kuvendi, me çka përmbyllet procesi i formimit të institucioneve.
Ai ka thënë se Kosova ka zgjedhur sërish një grua në postin e presidentes, duke vazhduar kështu një traditë të rëndësishme.
“Ky shembull tani duhet të shtrihet në çdo fushë tjetër të jetës publike. Gratë kanë nevojë për më shumë hapësirë në vendimmarrje dhe për mbrojtje më të fuqishme kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje. Presidentja Shiroka-Pula do të gjejë një partner të përkushtuar tek OSBE Kosovë në përpjekjet e saj për të çuar përpara këto prioritete”, tha McGurk.
Justina Shiroka-Pula u zgjodh mbrëmë presidente e re nga Kuvendi i Kosovës në raundin e parë duke marrë gjithsej 81 vota.







