Bedri Hamza, kryetar i PDK-së, pas inaugurimit të presidentes së re, në një deklarim për media ka folur për situatën politike dhe rolin që pritet të ketë presidentja e re.
I pyetur nëse presidentja e re mund t’i pajtojë partitë politike, Hamza tha se ajo duhet ta luajë rolin e saj kushtetues dhe ligjor.
“Presidentja do ta luajë rolin e vet brenda rolit kushtetues dhe ligjor, rolin e vet unifikues. Ndërsa partitë politike i kanë punët e veta. Ata që janë në qeveri duhet të kryejnë punën, e ne që jemi në opozitë duhet të dalim me alternativa, por edhe me kritika dhe me ide që ky vend të shkojë përpara.”
Hamza foli edhe për komunikimin me presidenten e re, Justina Shiroka-Pula, duke treguar se si është arritur pajtimi për kandidaturën e saj.
“Nuk kemi pasur shumë kohë të bisedojmë. E kanë ftuar në telefon dhe i kanë thënë: ‘Znj. Shiroka-Pula, jemi në mundësi të të propozojmë edhe të jesh presidente’. Normalisht që e ka pranuar dhe jemi pajtuar.”
I pyetur nëse emri i Justina Shiroka-Pulës ishte diskutuar më herët në PDK për postin e presidentes, Hamza tha:
“Nuk ka qenë asnjëherë në PDK, nuk është diskutuar emri i Shiroka-Pulës për të qenë presidente.”
Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i pyetur nëse kishte biseduar me presidenten e re për ta bindur që ta pranonte postin, nuk dha përgjigje të drejtpërdrejtë për këtë.
“Kemi shumë punë përpara. Lajmi është se kemi një presidente të re.”







