Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës presidente e Kosovës ka marrë vëmendjen e agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters.
Reuters raporton se Shiroka-Pula mori 81 vota në Kuvendin me 120 deputetë, vetëm një më shumë se numri i nevojshëm për zgjedhjen e saj.Agjencia ndërkombëtare thekson se dështimi për zgjedhjen e presidentit do ta çonte Kosovën drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Reuters citon edhe deklaratën e Shiroka-Pulës pas zgjedhjes së saj.
“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi. Ai u përket qytetarëve tanë. Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve”, citohet të ketë thënë Shiroka-Pula.
Reuters e lidh zgjedhjen e saj me marrëveshjen politike mes Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti dhe Partisë Demokratike të Kosovës.Marrëveshja lidhej edhe me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në artikull përmenden gjithashtu protestat e së hënës, gjatë të cilave Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për shpërndarjen e protestuesve.
Protestuesit kërkonin miratimin e ndryshimeve ligjore për kufizimin e kompetencave të Dhomave të Specializuara.
Reuters përmend gjithashtu aktgjykimin e 16 shtatorit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Agjencia shkruan se posti i presidentit në Kosovë ka kryesisht rol ceremonial, por zgjedhja e kreut të shtetit ka qenë shpesh burim i paqëndrueshmërisë politike për shkak të shumicës së nevojshme parlamentare.
Reuters prezanton Shiroka-Pulën si ekonomiste, profesoreshë të ekonomisë dhe kryetare të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.







