Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj presidente e vendit.
Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, u shpreh se Shiroka-Pulës i uron shumë mbarësi në ushtrimin e detyrës, teksa shtoi se Kuvendi përmbylli një proces të gjatë dhe të vështirë politik.
“Uroj Presidenten e re të Republikës së Kosovës, akademiken Justina Shiroka Pula, dhe i dëshiroj shumë mbarësi në ushtrimin e detyrës së saj, në shërbim të vendit dhe të të gjithë qytetarëve.Kuvendi i Republikës së Kosovës përmbylli një proces të gjatë dhe të vështirë politik, duke arritur marrëveshje dhe duke gjetur zgjidhje institucionale”, tha Haxhiu.
Më tej, ajo u shpreh se për të ka qenë nder i veçantë të ushtrojë detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës.
“Për mua ka qenë një nder i veçantë të ushtroj detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës në një periudhë me përgjegjësi të mëdha institucionale. Këtë detyrë e kam ushtruar me respekt të plotë për institucionin dhe me përkushtim, duke u angazhuar që të ruhet vazhdimësia e funksionimit të shtetit deri në zgjedhjen e Presidentes së re”, shtoi Haxhiu.







