Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka paralajmëruar se vendi mund të humbasë dhjetëra miliona euro nga Plani i Rritjes nëse nuk funksionalizohen institucionet dhe Kosova shkon sërish në zgjedhje.
Zulfaj ka deklaruar se 131.4 milionë euro, të lidhura me 22 hapa të Planit të Rritjes, kanë afat përfundimtar deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Sipas tij, mungesa e një Kuvendi funksional dhe e një Qeverie me kapacitet të plotë mund të rrezikojë rreth 90 milionë euro.
“Nëse shkojmë sërish në zgjedhje, do të humbasim sërish fonde nga Plani i Rritjes. 131,4 milionë euro nga 22 hapa të Planit të Rritjes kanë afat përfundimtar 31 dhjetorin e këtij viti. Pa Kuvend funksional dhe pa Qeveri me kapacitet të plotë, mund të humbim afër 90 milionë euro”, ka deklaruar Zulfaj.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se moszgjedhja e Presidentit mund të ndikojë drejtpërdrejt në zbatimin e reformave të kërkuara nga Plani i Rritjes.
Sipas Zulfajt, disa projektligje të cilat kishin mbetur pezull në qershor për shkak të bllokadës në Kuvend janë proceduar sërish nga Qeveria dhe kanë kaluar dje në lexim të parë.
Për këto masa, ai ka thënë se rrezikohen të humben mbi 40 milionë euro.
Në mesin e projektligjeve të përmendura është edhe ai për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, për të cilin Zulfaj tha se do t’i hapte rrugë Kosovës drejt përfshirjes në SEPA, sistemin evropian të pagesave.
Zulfaj ka theksuar se ligji ishte miratuar nga Kuvendi në fund të vitit 2024, por ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga PDK-ja.
“Çdo vit jashtë SEPA-s u kushton qytetarëve dhe bizneseve tona rreth 55 milionë euro”, ka deklaruar ai.
Në përfundim, kryenegociatori i Kosovës ka kritikuar opozitën, duke e akuzuar për bllokim të institucioneve dhe duke paralajmëruar pasoja financiare për qytetarët.
“Bllokada është zgjedhje. Opozita ka zgjedhur të bllokojë, dhe koston po ua faturon qytetarëve”, ka thënë Zulfaj.







