Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje deputetëve që të kthehen në seancë për ta votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Ju bëj thirrje, kthehuni në seancë ta votojmë këtë ligj. Kthehuni, se është i të gjithë neve”, tha Haradinaj.
Në një konferencë për media, derisa mbante në duar Ligjin për Dhomat e Specializuara, Haradinaj tha se për të kishte votuar edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila, siç theksoi ai, në Hagë e ka edhe ish-shefin e Grupit Parlamentar, Rexhep Selimin.
“Është vërtet lojë me ndjenjat e shqiptarëve, të patriotëve, sjellja e tillë e Kurtit dhe loja e tij edhe me nervat e njerëzve, me këto kushtëzimet e tij për këtë ligj. Nuk ka asgjë morale në këtë që po bën ky, as kombëtare e as njerëzore”, tha Haradinaj.
Sipas tij, të gjitha temat kanë rëndësi, por nuk ka logjikë që të mos trajtohet Ligji për Dhomat e Specializuara, pasi, siç tha ai, ky ligj nuk i përket vetëm një partie.
“Ju bëj thirrje të gjithëve, ejani në Kuvend ta kryejmë ligjin”, tha Haradinaj, duke shtuar se çdo humbje kohe është e pafalshme./teve1.info/







