Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, e ka cilësuar si të vështirë natën e sotme për shtetin e Kosovës, në ditën kur përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
“Një natë e vështirë për shtetin e Kosovës! Zot, bekoje Kosovën e të ardhmen e fëmijëve tanë!”, ka shkruar Lushaku.
Ndryshe, sonte në mesnatë përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e kreut të shtetit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon sot. Deri në përfundimin e këtij afati, Kuvendi duhet ta përfundojë procedurën për zgjedhjen e Presidentit.
Nëse Presidenti nuk zgjidhet, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga shpërndarja e Kuvendit.
Ndërkohë, në Prishtinë po vazhdon nata e 21-të e protestës, ku po kërkohet ndryshim-ligji për Gjykatën Speciale.







