Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti, që nga 8 korriku, ka zvarritur procesin e konstituimit të institucioneve, me qëllim, sipas tij, të shfrytëzimit të afateve kushtetuese.
Haradinaj ka thënë se zhvillimet e fundit janë pjesë e një skenari të Kurtit dhe se synimi është që procesi të shtyhet sa më shumë.
“Si Aleancë kemi qenë të kujdesshëm dhe jemi munduar të shtrijmë dorën që të mos turpërohemi para historisë. Gjithçka është bërë në bazë të skenarit të Kurtit. Sot ankohemi që janë edhe shtatë orë, por prej 8 korrikut Kurti është kujdesur të konsumojë kohën kushtetuese dhe të mos i konstituojë institucionet”, ka deklaruar Haradinaj në një konferencë për media.
Ai ka kritikuar edhe kohën kur ushtruesja e detyrës së presidentes ka dërguar pyetjen në Gjykatën Kushtetuese.
“Edhe pyetjen që e ka çuar sot në Kushtetuese ushtruesja e presidentes, ka mundur ta çojë para dy javësh. E çon ditën e fundit, kur është dashur të jetë në seancë. E ka dërguar vonë për të fituar edhe ndonjë ditë, me shpresën që i çon zgjedhjet në dhjetor, të cilat në të kaluarën i kanë funksionuar, por kësaj radhe me gjasë jo”, tha Haradinaj.
Ai e ka cilësuar si ofenduese përpjekjen, sipas tij, për t’ia atribuar njëri-tjetrit përgjegjësinë për situatën politike.
“Është tepër ofenduese të bëhen lojëra, pazare, duke u munduar t’ia hedhin fajin njëri-tjetrit. Ligji është për UÇK-në dhe bëhet për të vërtetën tonë historike”, u shpreh Haradinaj./teve1.info/







