Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do të mblidhet për të diskutuar nëse sot duhet të mbahet seanca për votimin e presidentit.
Teksa kanë mbetur vetëm disa orë deri në përfundimin e afatit të zgjedhjes së presidentit të vendit, në një konferencë për media kryeministri Albin Kurti i bëri thirrje PDK-së që të zotohet se do të marrin pjesë në seancë për zgjedhjen e presidentit, ndërkohë që Vetëvendosja do të thërret një seancë të jashtëzakonshme për votim në lexim të dytë të ligjit për Specialen.
“Ne do të mbajmë edhe një mbledhje në subjektin tonë, do të shohim se çka është më së miri të bëjmë. Nuk besoj se duhet të flas unë, duhet të flasin të tjerët, a janë njëmend të vendosur që Kosovën të mos e lënë pa president, rendi logjik i hapave është që tash të kemi një përgjigje për këtë ofertën shtesë”, tha Kurti.
Kurti përmendi se nuk ka komunikuar me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
Ai tha se LDK ia ka “borxh” gjashtë deputetë Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e presidentit.
“Nuk kemi komunikuar me kryetarin e LDK-së, tash ai është e vërtetë që ka kryer punën, mirëpo kur ai ka negociuar me mua, ai ka negociuar në emër të 18 deputetëve, marrëveshje u bë në emër të tyre, dhe mandej ky 18 ra në 12 dhe na pamundësoi zgjedhjen e Bekim Sejdiut. Çdo situatë e ngjashme duhet të sigurohet që LDK, LVV ia ka borxh gjashtë deputetë. Unë do komunikoj përsëri me të”, tha Kurti.







