Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se çështjen e dënimit të krerëve të UÇK-së në Hagë nuk e kanë ndërlidhur me zhvillimet e brendshme politike dhe institucionale në Kosovë, duke theksuar se të dyja çështjet i konsiderojnë të ndara, por me rëndësi shtetërore e kombëtare.
Kurti, në një konferencë për media, tha se çështja e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe ajo e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re e tejkalojnë një parti politike dhe se sipas tij, kërkojnë qasje të përbashkët institucionale.
“Çështjen e dënimit të krerëve të UÇK-së në Hagë, ne asnjëherë nuk e kemi ndërlidhur me zhvillimet e brendshme këtu politike e institucionale, rrjedhimisht as me çështjen e presidentit, këto janë tema të ndara për neve, por të dyja janë tema të cilat e tejkalojnë një parti. I tejkalojnë edhe të gjitha partitë, janë çështje e interesit të përbashkët shtetëror e kombëtar. Për katër të dënuarit në shkallë të parë ne besojmë në korrigjim në Apel, në njërën anë dhe në anën tjetër një strategji shtetërore e kombëtare për të fituar këtë betejë, por ne nuk mund t’i mohojmë pengesat e menjëhershme që i kemi përpara nesh, pra çështja e zgjedhjes së presidentit ose presidentes së re, sepse mos zgjedhja e tij ose e saj na çon direkt në zgjedhje dhe jo vetëm se na çon në zgjedhje, por na pamundëson të gjithëve të merremi me strategji shtetërore e kombëtare dhe me Apelin që është shumë i ngushtë”, tha Kurti.
Ai theksoi se puna për çështjen e Apelit, sipas tij, nuk duhet të shtyhet për vitin e ardhshëm, por të nisë menjëherë këtë muaj, ndërsa e cilësoi si emergjente zgjedhjen e presidentit për të shmangur një situatë të re zgjedhore dhe mungesën e funksionalitetit institucional.
“Nuk do të mund të fillojmë të merremi me çështjen e Apelit në vitin e ardhshëm, po do të fillojmë të merremi këtë muaj. Pa president sot, Kosova për muaj të tërë është në zgjedhje dhe pa institucione funksionale. Në këto rrethana është emergjente çështja e presidentit, që ta zgjedhim dhe ta heqim këtë presion mbi shtetin dhe të kemi gjithë energjinë, vëmendjen dhe mendjen te mbrojtja e luftës së popullit tonë për liri dhe ish-krerët e UÇK-së në Hagë”, u shpreh ai.
Kurti ka paralajmëruar se dështimi për zgjedhjen e presidentit mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke thënë se një situatë e tillë do të ndikonte edhe në angazhimin institucional për çështjen e Apelit në Hagë.
“Sot në mesnatë mund të shkojmë në zgjedhje këtu sikur nuk ka ndodhur asgjë. Duhet të kuptuar dhe trajtuar me sinqeritet, çështja atje do të marrë kohë e angazhim, e që besa do edhe shumë nerva dhe nuk do të bëjmë kurrfarë mrekullie brenda natës pse votojmë një projektligj. Për këtë duhet të jemi të përgatitur të gjithë. Ne me mosvotimin e presidentit sonte shkojmë brenda orësh në zgjedhje. Është paradoksale, përveç se e dëmshme, të thuash se nuk ka temë më të rëndësishme se Gjykata Speciale dhe ta dërgosh vendin në zgjedhje për president”, tha Kurti./teve1.info/







