Sot përfundon afati i fundit për zgjedhjen e presidentit sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Nëse deri në mesnatë nuk zgjidhet presidenti vendi do të shkojë në zgjedhje, që do të jetë hera e dytë në pamundësi të votimit të një kandidati për të parin e shtetit.
Deri më tash partitë nuk kanë ndonjë marrëveshje që garanton zgjedhjen e presidentit.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku kishin arritur marrëveshje më 31 gusht për një kandidat të përbashkët, Bekim Sejdiun, por që kjo nuk arriti të zbatohet plotësisht, pasi 6 deputetë të LDK-së thanë se nuk kanë votë për kandidatin e propozuar nga Kurti e Abdixhiku.
Ndërsa, në javët e fundit bisedime për çështjen e presidentit janë zhvilluar edhe mes Kurtit e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza ku në këto takime është diskutuar edhe për votimin e projektligjit për plotësim ndryshimin e Dhomave të Specializuara.
Dy partitë kanë kushtëzuar njëra tjetrën me votim, PDK ka kërkuar që të votohet ne dy leximet projektligji e më pas çështja e presidentit, ndonëse në një deklarim Bedri Hamza kishte premtuar 22 votat e deputetëve të PDK-së për presidentit.
Nga ana tjetër LVV ka kërkuar që të votohet presidenti pas miratimit në lexim të parë të projektligjit duke e vlerësuar si më të rëndësishme çështjen e presidentit./teve1.info/







