Me pankarta në duar po qëndrojnë para Komunës së Prishtinës.
Kjo pasi punëtorët e Ndërrmarjes Publike Banesore, tash e 60 ditë nuk i kanë marrë pagat.
Punëtorët thonë se mosekzekutimi i pagave iu ka shkaktuar shumë vështirësi ekonomike.
“Qe dy muaj ditë nuk na i kanë qit, jemi dal veç për këtë problem. S’po lypim lëmosh, as nuk po lypim asgjë, veç po e duam pagën që punojmë, që e meritojmë. Asgjë tjetër s’duam… Na ka shkaktu shumë dëmë se kemi fëmijë në çerdhe, me këtë rrogë e mbajmë familjen”, ka thënë Avdyli.
Në rast se nuk iu bëhet një zgjidhje punëtorët paralajmëruan masa tjera.
“Sot jemi ardhur qetë por tjera ditë kemi me ardh këtu me mjetet e punës, me ato që i posedojmë, kemi me ardh këtu me blloku komunën… qe tre muaj ditë që s’kemi marrë pagë”, ka thënë Zejnullahu.
E për zgjidhjen e këtij problemit sytë i kanë vetëm nga komuna.
“Kemi probleme. Ka njerëz që janë të varur prej kësaj rroge. Është muaji i tre që nuk paguhemi.… Na presim prej kryetarit me na bo zgjidhje”, u shpreh Matoshi.
Ndërkohë organizatorët e kësaj proteste njoftuan se mbi 380 punëtorë janë prekur nga ky rast.
“Çdo i dyti është me obligime, shkollimi i fëmijëve dhe pagesat e transportit, nuk mund të shtyhen pafundësisht. Për institucionet, paga mund të jetë një çështje administrative, por për ne, kjo pagë është e familjes dhe siguria e jetës së përditshme” , ka thënë Prebreza.
Pas fjalimit organizatorët e protestës tentuan të hynë brenda komunës.
Kjo për të kërkuar një takim me zyrtarët e komunës, por pasi u njoftua se askush nuk është aty, ata ndërprenë protestën.
Televizioni ka tentuar gjatë ditës të marrë një përgjigje nga Komuna e Prishtinës, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e kronikës.






