Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se ka pranuar informacione dhe dëshmi se në grupe të prindërve në rrjetet sociale kanë qarkulluar njoftime për pjesëmarrjen e obligueshme të maturantëve në protestën e paralajmëruar për sot, më 5 tetor 2026, në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për mbrojtjen e vlerave të saj.
Përmes një reagimi në Facebook, MAShI ka rikujtuar se asnjë nxënës nuk mund të detyrohet apo t’i bëhet presion për pjesëmarrje në protesta ose tubime publike.
Duke qenë se bëhet fjalë për nxënës, shumica e të cilëve janë nën moshën 18-vjeçare, Ministria ka theksuar se institucionet arsimore kanë përgjegjësi të veçantë për mbrojtjen e tyre, respektimin e të drejtave dhe garantimin e zhvillimit të rregullt të procesit mësimor.
Sipas MAShI-t, orari mësimor duhet të respektohet dhe nxënësit nuk duhet të organizohen apo të largohen nga procesi mësimor për asnjë qëllim.
Ministria u ka bërë thirrje drejtorive komunale të arsimit dhe institucioneve edukativo-arsimore që të ndërmarrin masat e nevojshme për respektimin e këtyre kërkesave.
Ndërkaq, Inspektorati Qendror i Arsimit, në kuadër të kompetencave të tij ligjore, do të monitorojë zbatimin e këtyre kërkesave dhe do të trajtojë çdo informacion apo ankesë lidhur me detyrimin ose presionin ndaj nxënësve, si dhe pengimin e zhvillimit të rregullt të procesit mësimor.







