Analisti politik Burim Korça, në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ka folur për tensionet dhe incidentet e shënuara sot para Kuvendit të Kosovës, ku protestuesit kanë penguar daljen e disa deputetëve, duke kërkuar miratimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara.
Korça ka thënë se protesta është një mjet demokratik përmes të cilit qytetarët mund t’i adresojnë çështjet për të cilat kanë shqetësime, por ka kundërshtuar përdorimin e dhunës.
“Protesta është mjet demokratik, i cili shfrytëzohet për çfarëdo problemi që qytetarët e shohin se nuk mund ta adresojnë përmes protestës. Mënyra e dhunës që është përdorur sot është shumë e pakuptimtë dhe e panevojshme. Dhuna nuk është e lejueshme, sidomos në këto raste, se si e kemi tash protestën për aktgjykimin e Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së”, ka thënë Korça.
Ai ka vlerësuar se incidentet e sotme nuk duhet të ndodhnin, duke përmendur rastet ndaj ish-zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshi, dhe deputetit të LVV-së, Fahrush Rexhepi.
“Mendoj se kjo nuk do të duhej të ndodhte, sidomos ndaj ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, po ashtu edhe ndaj anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshi, edhe ndaj deputetit Fahrush Rexhepi, i cili është vëlla i dëshmorit. Nuk janë pamje të mira dhe nuk i ndihmojnë asnjë procesi, e sidomos atyre që janë dënuar dhe që janë në Hagë”, ka deklaruar Korça.







