Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas incidentit të sotëm, ku deputeti i LVV-së, Prof. Dr. Fahrush Rexhepi, është kapur për duar dhe është shtyrë nga protestuesit.
Nagavci e ka cilësuar të papranueshme dhe të turpshme këtë sjellje, duke theksuar se e drejta për protestë dhe kritikë nuk nënkupton përdorimin e forcës fizike ndaj një deputeti.
“Pamjet ku protestuesit e kapin për duarsh dhe e shtyjnë me forcë një deputet të Republikës së Kosovës nuk kanë asgjë të përbashkët me të drejtën demokratike për protestë. Protesta është e drejtë, kritika është e drejtë, kërkesa për llogaridhënie është e drejtë, por askush nuk ka të drejtë të përdorë forcën fizike ndaj një përfaqësuesi të zgjedhur të qytetarëve”, ka shkruar Nagavci.
Ajo ka theksuar edhe të kaluarën profesionale dhe familjare të deputetit Rexhepi, duke e përshkruar atë si profesor universitar dhe doktor të shkencave të historisë.
Nagavci ka përmendur edhe dy vëllezërit e deputetit. Sipas saj, Njazi Rexhepi ishte pjesëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe dëshmor i rënë në Betejën e Koshares, ndërsa vëllai tjetër, Jonuz Rexhepi, është veteran i luftës dhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Askush nuk fiton të drejtën të ushtrojë dhunë duke u thirrur në emër të UÇK-së, aq më pak ndaj një njeriu, familja e të cilit ka paguar me gjak çmimin e lirisë së Kosovës”, ka deklaruar Nagavci.
Në reagimin e saj, ajo ka thënë se përdorimi i dhunës në emër të vlerave të luftës nuk përfaqëson mbrojtjen e tyre.
“Kjo nuk është mbrojtje e vlerave të luftës. Kjo është cenim i tyre”, ka përfunduar Nagavci.







