Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar lidhur me protestat, duke theksuar se artikulimi i kërkesave përmes protestave është bazamenti i demokracisë, por se pengimi fizik i deputetëve për të hyrë apo për t’u larguar nga Kuvendi, kërcënimi apo përdorimi i dhunës ndaj tyre, është presion mbi institucionin dhe mbi ushtrimin e lirë të mandatit.
“Kërkesa që deputetët ta votojnë një ligj mund të shprehet fuqishëm në shesh, por vota e tyre duhet të mbetet e lirë”, thuhet në reagim.
Sipas KDI-së, asnjë protestues apo organizatë nuk mund të vendosë përmes bllokimit fizik se kush hyn, kush del apo si duhet të votojë një deputet.
“Deputetët kanë të drejtë të votojnë, të mos votojnë dhe të mbajnë përgjegjësi politike për vendimet e tyre. Protesta duhet të mbetet protestë, ndërsa presioni politik nuk mund të shndërrohet në presion fizik”, thuhet më tej.
KDI ka theksuar se në këtë situatë, krerët e subjekteve politike duhet të dalin para protestuesve, të flasin drejtpërdrejt me ta dhe ta marrin përgjegjësinë për qëndrimet e tyre.
“Organizatorët që kanë ftuar qytetarët të mobilizohen për këtë çështje duhet edhe t’u kërkojnë qartë që protesta të vazhdojë pa dhunë dhe pa pengim fizik të deputetëve”, thuhet në reagim.







