Ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në kuadër të aktiviteteve bilaterale me Mbretërinë e Bashkuar, ka marrë pjesë në garën “Cambrian Patrol”, të organizuar nga Ushtria Britanike.
Sipas njoftimit të FSK-së, ekipi kosovar ka arritur të fitojë medaljen e artë, duke u renditur mes ekipeve ndërkombëtare pjesëmarrëse në këtë garë.
“Cambrian Patrol” konsiderohet një ndër garat më sfiduese ushtarake, ku pjesëmarrësit përballen me detyra që kërkojnë nivel të lartë të profesionalizmit, disiplinës, përgatitjes fizike dhe punës ekipore.
FSK-ja tash e disa vite është pjesë e kësaj gare, ndërsa ekipet e saj pjesëmarrëse kanë arritur vazhdimisht rezultate të larta dhe janë kthyer me medalje.
Këtë vit, FSK-ja u përfaqësua nga ekipi i Regjimentit të Parë të Këmbësorisë të Komandës së Forcave Tokësore, i cili, falë profesionalizmit, disiplinës dhe përgatitjes së treguar gjatë garës, arriti të fitojë medaljen e artë.




