Deputetët e PDK-së nisën të mblidhen në selinë e partisë.
Kjo pasi, këtë të diel, Kryesia dhe Grupi Parlamentar i PDK-së zhvilluan një takim të përbashkët.
Takimi zgjati rreth tre orë e gjysmë.
Në të u diskutua për zhvillimet e fundit politike dhe qëndrimin e kësaj partie për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Pas përfundimit të takimit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, doli në konferencë për media.
“Nesër jam optimist se ligjin do ta përkrahin të gjithë deputetët, edhe i lus edhe i ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të jenë në mbështetje të këtij projektligji, dhe ky ligj nesër t’i përfundojë të gjitha procedurat e nevojshme brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Është një ligj tepër i rëndësishëm, është një ligj që kërkon të vendosë drejtësi. Nuk jemi kundër drejtësisë, jemi kundër padrejtësisë”, u shpreh Hamza.
Hamza tha se ky ligj është i rëndësishëm dhe se, sipas tij, synon vendosjen e drejtësisë.
Ai tha se, pavarësisht vështirësive të deritanishme, duhet të vazhdohet të besohet në drejtësi.
“Deri tash çka ka ndodhur, ka pasur shumë vështirësi, ka pasur shumë probleme, ka pasur shumë padrejtësi. Ne po duam me vazhdu me besu në drejtësi. Dhe për këtë qëllim, apeli do të fillohet brenda Dhomave të Specializuara, në kuadër të Dhomave të Specializuara, dhe ne presim që të ketë një vendim të drejtë, bazuar në fakte, në prova, jo thashetheme, jo të vërteta, jo të ndërtohen dhe të sajohen krijesa që s’kanë ekzistuar. Nuk mundet dhe nuk qëndron ‘ndërmarrja e përbashkët kriminale’, ata njerëz janë të pafajshëm. Nuk mundet me u gjykuar njerëzit për krime që s’i kanë bërë. Krimet duhet me u faktuar”, tha kryetari i PDK-së.
Ndërsa, sa i përket raportit mes miratimit të këtij ligji dhe zgjedhjes së presidentit, Hamza tha se bëhet fjalë për dy çështje të ndara.
“E para, duhet me i nda këto dy gjëra. Çështja e ligjit dhe çështja e presidentit janë gjëra të ndara. Ligji është nevojë. Ligji e adreson një çështje që i kalon përmasat e një subjektit politik, e një mandatit të një qeverie. Çështjet e individëve, qytetarëve, është një ligj që kërkon drejtësi edhe me u vërtetuar ajo çka është pastërtia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka qenë një luftë e imponuar, populli i Kosovës është organizuar për mbrojtjen e të drejtave të veta, për liri, për pavarësi, për shtet dhe ligji nuk ka të bëjë me një parti politike, nuk ka të bëjë me individë, ka të bëjë me mbrojtjen e të vërtetës historike”, u shpreh ai.
Ndërkohë, nesër Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare në orën 09:00.
Në këtë seancë, në lexim të parë, do të trajtohet edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Para seancës plenare, në orën 08:00, do të mblidhet Komisioni për Legjislacion, ku do të shqyrtohet ky projektligj.






