Superliga e basketbollit vazhdon këtë fundjavë me ndeshjet e xhiros së tretë, me katër përballje që do të zhvillohen nga e shtuna deri të hënën.
Xhiroja hapet të shtunën në Prizren, ku Bashkimi e pret Trepçën nga ora 19:30 në palestrën “Sezai Surroi”. Dy skuadrat u përballën edhe në mesjavë në kuadër të Superkupës së Kosovës, ku Bashkimi triumfoi dhe fitoi trofeun. Prizrenasit e kanë nisur mirë edhe kampionatin me dy fitore, ndërsa Trepça pas fitores në Rahovec u mposht nga Peja në javën e dytë.
Të dielën nga ora 17:00, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, Sigal Prishtina përballet me Golden Eagle Yllin. Prishtinasit vijnë pas fitores ndaj Vëllaznimit, ndërsa therandasit janë në kërkim të fitores së parë në këtë edicion.
Nga ora 19:30, vëmendja zhvendoset në “Karagaçi”, ku Peja pret Vëllaznimin. Pejanët në mesjavë përfunduan rrugëtimin në kualifikimet e FIBA Europe Cup, pasi nuk arritën të sigurojnë kalimin në fazën e grupeve, ndërsa tash do të përqendrohen në garat vendore. Në kampionat, Peja vjen pas fitores ndaj Trepçës në “Minatori”, kurse Vëllaznimi kërkon fitoren e parë të sezonit.
Xhiroja e tretë mbyllet të hënën në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, ku nga ora 20:00 Bora përballet me Rahovecin 029. Bora e ka nisur edicionin me dy fitore në po aq ndeshje, ndërsa Rahoveci 029 synon fitoren e parë pas dy xhirove të zhvilluara.
E shtunë, 3 tetor
19:30 | Bashkimi – Trepça
E diel, 4 tetor
17:00 | Sigal Prishtina – Golden Eagle Ylli
19:30 | Peja – Vëllaznimi
E hënë, 5 tetor
20:00 | Bora – Rahoveci 029











