Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar Ditën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës.
Përmes një postimi, Haxhiu ka kujtuar rolin e studentëve në ngjarjet kryesore historike të Kosovës, nga demonstratat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981, deri te rezistenca studentore e viteve ’90 dhe protestat e 1 Tetorit 1997.
“Sot, në Ditën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës, kujtuam një histori që është shkruar jo vetëm në hapësirat e universitetit, por edhe në rrugët e Prishtinës, nga breza studentësh që e kuptuan thirrjen e kohës dhe iu përgjigjën asaj”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se studentët e Universitetit të Prishtinës kanë qenë pjesë e betejave për dije, dinjitet dhe liri.
“Nga demonstratat e vitit 1968, te ‘Kosova Republikë’ e vitit 1981, nga universiteti i mbajtur gjallë në shtëpi gjatë viteve ’90, e deri te 1 Tetori 1997, studentët e Universitetit të Prishtinës kanë qenë pjesë e betejave më të rëndësishme të shoqërisë sonë për dije, dinjitet dhe liri.
Ndërkohë, sipas Haxhiut, brezi i ri ka një detyrë të re: të ndërtojë mbi lirinë e fituar dhe të kontribuojë në zhvillimin e vendit.
“Sot, brezi i ri e ka një detyrë tjetër: mbi lirinë e fituar të ndërtojë një universitet më të mirë, një shtet më të fortë dhe një Kosovë që zë vendin e saj mes vendeve të lira në Evropë dhe në botë”, ka përfunduar Haxhiu./teve1.info/







