Zyrtarët e shtetit amerikan të Tenesit nuk arritën të ekzekutonin Christa Gail Pike të mërkurën, pasi ajo mbijetoi edhe pas administrimit të dy dozave të një ilaçi vdekjeprurës.
Pike, 50 vjeç, ishte planifikuar të ekzekutohej për vrasjen e kryer në vitin 1995, kur ajo ishte vetëm 18 vjeç.
Avokatët e saj thanë se Pike mbeti gjallë pas tentativës së injeksionit vdekjeprurës dhe gërhiste me zë të lartë, përpara se të transportohej me ambulancë nga burgu në një spital. Ata thanë se nuk ishin njoftuar për gjendjen e saj shëndetësore.
Një ekspert për dënimin me vdekje e përshkroi rastin si një dështim të paprecedentë. Ndërkohë, Guvernatori i Tenesit, Bill Lee, ndaloi ekzekutimin tjetër të planifikuar në shtet për pjesën e mbetur të vitit.
Pike do të ishte gruaja e parë e ekzekutuar në Tenesi në më shumë se 200 vjet.
Rasti u komplikua edhe më tej nga zhvillimet gjyqësore. Një gjykatë apeli ndaloi injeksionin vdekjeprurës vetëm një orë para se ekzekutimi të fillonte, por disa orë më vonë Gjykata Supreme e SHBA-së e rrëzoi atë pezullim.
Avokatët e Pike thanë në dokumentet e depozituara në gjykatë të mërkurën vonë se zyrtarët i kishin administruar asaj dy doza pentobarbital.
Guvernatori Bill Lee tha në një deklaratë se ka urdhëruar “një shqyrtim gjithëpërfshirës nga një palë e tretë për të përcaktuar saktësisht se çfarë ka ndodhur” dhe se ekzekutimi i mbetur i planifikuar nuk do të ndodhë këtë vit.
“Zbatimi i një dënimi të dhënë ligjërisht është ndër përgjegjësitë më serioze të Shtetit dhe njerëzit e Tenesit presin që kjo të bëhet në një mënyrë që është jo vetëm ligjore dhe kushtetuese, por edhe efektive”, tha ai, sipas AP.
Protokolli i ekzekutimit të shtetit kërkon që një set i dytë shiringash me ilaçin të administrohet “nëse i burgosuri nuk ka vdekur” pas setit të parë, por nuk përcakton se çfarë duhet të ndodhë nëse personi mbetet gjallë edhe pas setit të dytë.
Robin M. Maher, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës së Informacionit për Dënimin me Vdekje, tha se ajo që përjetoi Pike është “e veçantë dhe e pakrahasueshme”.
Shtatë persona të tjerë kanë mbijetuar komplikacione mjekësore gjatë ekzekutimeve për shkak të dështimit të ekipeve të ekzekutimit për të pasur akses në një venë për administrimin e ilaçeve vdekjeprurëse.
Megjithatë, sipas Maher, askush më parë nuk kishte mbijetuar pasi kishte marrë ilaçet e përdorura në ekzekutime të tilla.










