Sot shënohen 29 vjet nga protesta e studentëve të Universitetit të Prishtinës, e mbajtur më 1 tetor 1997, e cila u bë një nga ngjarjet më të rëndësishme të lëvizjes studentore në Kosovë gjatë viteve ’90.
Protesta nisi në lagjen “Velania” në Prishtinë, ku një pjesë e madhe e studentëve të Universitetit të Prishtinës zhvillonin mësimin nëpër shtëpi private, pasi ishin dëbuar nga objektet universitare nga regjimi serb.
Qëllimi i studentëve ishte marshimi drejt kampusit universitar dhe kërkesa për rikthimin në objektet e universitetit.
Në krye të protestës, së bashku me rektorin e atëhershëm të Universitetit të Prishtinës, tashmë të ndjerin Ejup Statovci, ishin edhe Bujar Dugolli, Albin Kurti, Driton Lajçi dhe Muhamet Mavraj.
Policia serbe ndërhyri për ta shpërndarë protestën, duke përdorur dhunë ndaj studentëve dhe profesorëve.
Shumë protestues u arrestuan, ndërsa organizatorët e protestës u ndaluan nga autoritetet serbe.
Protesta e 1 tetorit 1997 konsiderohet një moment i rëndësishëm në zhvillimin e rezistencës qytetare dhe studentore në Kosovë kundër regjimit të Slobodan Millosheviqit.
Lëvizja studentore e asaj kohe kërkonte, ndër të tjera, kundërshtimin e masave të vendosura në Universitetin e Prishtinës dhe rikthimin e studentëve e profesorëve në objektet universitare.
Gjatë viteve ’90, autoritetet serbe kishin larguar nga universiteti një numër të madh studentësh dhe profesorësh shqiptarë dhe kishin vendosur sistemin arsimor serb në institucionet e Kosovës.
Për këtë arsye, mësimi për studentët shqiptarë u zhvendos në shtëpi private dhe hapësira alternative.
Në periudhën 26 nëntor 1991 – 31 dhjetor 1997, Ejup Statovci shërbeu si rektor i Universitetit të Prishtinës.
Gjatë mandatit të tij, ai u angazhua për ruajtjen e funksionimit të universitetit në rrethana të vështira politike dhe institucionale.
Protesta studentore e 1 tetorit u pasua nga zhvillime të tjera politike e shoqërore në Kosovë dhe u bë një prej ngjarjeve simbolike të rezistencës paqësore të viteve ’90.
Më 25 maj 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e dekoroi Ejup Statovcin me medalje presidenciale për kontributin e tij.
Ngjarja konsiderohet prej më të rëndësishmeve të Lëvizjes Studentore dhe e njëjta ndikoi në faktorizimin ndërkombëtar në çështjen e Kosovës.







