Partitë politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë arritur marrëveshje për të garuar me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.
Lista do të garojë me emrin “Koalicioni Shqiptar”, ndërsa marrëveshja është arritur të martën në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të subjekteve politike.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se pas përpjekjeve për afrimin e qëndrimeve, palët kanë arritur një zotim të përbashkët për bashkëpunim.
Në marrëveshje kanë marrë pjesë kryetarët e subjekteve politike Shaip Kamberi (PVD), Visar Memeti (APN), Nagip Arifi (PD), Agim Sabedini (PDSH), Shqiprim Musliu (LPD), Sami Salihu (LR), Armend Aliu (AL) dhe Naser Aziri (UDSH).
Kurti ka falënderuar edhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepin, kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinanin, kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajazitin, përfaqësuesit nga Medvegja, Bajram Mustafën dhe Arben Feratin, si dhe përfaqësuesen nga Pazari i Ri, Amina Nurën, për kontributin në këtë proces.
“Sot, në Zyrën e Kryeministrit, përfaqësuesit e subjekteve politike pjesëmarrëse nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja arritën marrëveshjen për listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi. Pas bisedave dhe përpjekjeve për t’i afruar qëndrimet, vullneti për bashkëpunim mori formën e një zotimi të përbashkët. I falënderoj kryetarët e subjekteve politike: Shaip Kamberin (PVD), Visar Memetin (APN), Nagip Arifin (PD), Agim Sabedinin (PDSH), Shqiprim Musliun (LPD), Sami Salihun (LR), Armend Aliun (AL) dhe Naser Azirin (UDSH), për angazhimin dhe gatishmërinë që, përtej dallimeve, të gjejnë te njëri-tjetri bashkëbiseduesin dhe të ndajnë përgjegjësinë ndaj qytetarëve. Falënderoj gjithashtu kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepin; kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinanin; kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajazitin; përfaqësuesin nga Medvegja, Bajram Mustafa e Arben Feratin; dhe përfaqësuesen nga Pazari i Ri, Amina Nurën, për kontributin e tyre në këtë përpjekje të përbashkët. Marrëveshjet marrin jetë përmes besimit që ruajmë, fjalës që mbajmë dhe punës që bëjmë së bashku. Përkushtimi në zbatimin e tyre është ai që ua jep vlerën me kalimin e kohës”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Në deklaratën e tij, kryeministri i Kosovës ka thënë se krijimi i “Koalicionit Shqiptar” nuk është i mjaftueshëm, duke kërkuar gjithashtu përfaqësim të garantuar për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në Parlamentin e Serbisë.
Kurti ka bërë një krahasim me përfaqësimin e komunitetit serb në Kosovë, duke theksuar se serbët kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, me të njëjtën qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku pesë vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë, i cili ka 250 ulëse.
“Bashkimi politik te Koalicioni Shqiptar sigurisht që nuk është i mjaftueshëm. Asimetria e të drejtave është po ashtu padrejtësi. Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë, i cili numëron 250 ulëse. Përfaqësimi i garantuar është një parim që duhet të vlejë si në Kosovë ashtu edhe në fqiun tonë verior, me të njëjtin respekt për barazinë dhe të drejtat e tyre”, ka shtuar ai.
Ai ka përmendur edhe çështje të tjera që, sipas tij, janë pjesë e angazhimit për shqiptarët e Luginës së Preshevës, përfshirë mbrojtjen nga pasivizimi diskriminues i adresave, përfaqësimin e drejtë në institucionet publike dhe zhvillimin ekonomik.
Kurti ka theksuar se gjuha, kultura, simbolet dhe kujtesa janë pjesë e identitetit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Pavarësisht vështirësive dhe ndasive që e kanë shoqëruar këtë rrugë, besojmë se përgjegjësia e përbashkët mund të shndërrohet në punë të dobishme për qytetarët”, ka shkruar ai.
Në fund, Kurti ka deklaruar se Republika e Kosovës do të vazhdojë t’u qëndrojë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, duke theksuar angazhimin për të drejtat, identitetin dhe mirëqenien e tyre.
“Angazhimi ynë mbetet i vazhdueshëm për barazi, për dinjitet dhe për mundësinë që secili e secila ta ndërtojë të ardhmen në vendlindjen e vet”, ka përfunduar Kurti./teve1.info/







