Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka folur për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë dënuar me gjithsej 81 vjet burgim.
I ftuar në emisionin “Këndi i Debatit”, Gruda ka thënë se, bazuar në bisedat me persona që kanë takuar Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, shqetësimi i tyre kryesor nuk lidhet me kohëzgjatjen e dënimeve, por me mënyrën se si është cilësuar UÇK-ja në aktgjykim.
“Po e them për Hashim Thaçin edhe Kadri Veselin, se di prej njerëzve të mbrojtjes që i kanë takuar ata, fare nuk e kanë hallin se sa vjet janë dënuar. Të dy kanë thënë se nuk e kanë hallin a janë 25 vjet, a 18, a 13, a 8. Nëse UÇK-ja konsiderohet ndërmarrje e përbashkët kriminale, ata thonë: sa doni, shtoni vite”, ka deklaruar Gruda.
Sipas tij, edhe në rast se dënimet do të reduktoheshin në procesin e apelit, çështja kryesore për Thaçin dhe Veselin, sipas asaj që ai ka thënë, mbetet cilësimi i UÇK-së.
“Ata vetë e kanë thënë se mund t’i zbresin në apel, t’i çojnë në 10 vjet, edhe me i mbajt edhe dy a tri vjet, edhe me ardh në Kosovë. Por si duhet ajo liri atyre? Ata vetë e kanë thënë me gojën e vet se nuk e kanë hallin te vitet e dënimit, e kanë hallin te cilësimi i UÇK-së”, u shpreh ai.
Gruda ka theksuar se, sipas tij, mënyra se si është trajtuar UÇK-ja në aktgjykim prek edhe historinë dhe figurën politike të ish-krerëve të saj.
“Sepse është krejt jeta e Hashim Thaçit e Kadri Veselit aty. Nuk janë ata në gjendje aty me thënë: me mujt me dal e me nejt te një restaurant në Prishtinë”, ka thënë Gruda.




