Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se sot është mbajtur mbledhja e radhës e Kryesisë së partisë, e para pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe pak ditë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Gjini tha se Aleanca mbetet e prerë në qëndrimin e saj ndaj Gjykatës Speciale, duke theksuar se ndihma ligjore për krerët e UÇK-së në Hagë dhe mbrojtja e të drejtave shtetërore të Kosovës nuk duhet të përzihen me politikat partiake.
“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë që ndihma ligjore për krerët e UÇK-së në Hagë dhe mbrojtja e të drejtave shtetërore të Kosovës të mos përzihen me politika partiake”, ka deklaruar Gjini.
Duke folur për procesin e zgjedhjes së presidentit, ai shprehu shqetësimin për zvarritjen e këtij procesi dhe afrimin e fundit të afatit të përcaktuar nga Kushtetuesja.
“Zvarritja e mëtejshme e procesit për zgjedhjen e presidentit, duke shkuar drejt fundit të afatit të caktuar nga Kushtetuesja, dhe tendencat për manovra me afate dhe lëndë të reja në Gjykatën Kushtetuese, rrezikojnë të krijojnë një paqartësi edhe më të madhe për qytetarin e Kosovës”, ka thënë ai.
Kreu i Aleancës ka deklaruar se partia e tij ka mbajtur, sipas tij, një qëndrim konsistent dhe konstruktiv për çështjet që lidhen me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit.
“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha rrugët tona politike për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për të rikthyer normalitetin institucional, si dhe zhvillimin ekonomiko-social në vend”, është shprehur Gjini.
Mbledhja e Kryesisë së Aleancës është zhvilluar në një kohë kur procesi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës po hyn në ditët e fundit të afatit kushtetues.







