Hyrje në llogarinë e biznesit në Whatsapp tash e disa ditë e ka të pamundur.
Kështu Darsej Riza i cili është ekspert i kibernetikës, që nga data 23 shtator nuk po mund të përdorë aplikacionin me të cilin komunikon gjatë punës së tij.
Llogaria e tij në këtë platformë është një nga qindra llogaritë e hakuara brenda këtyre ditëve në Kosovë.
E për telashet që i kanë në Whatsapp, disa biznese edhe i kanë njoftuar klientët e tyre.
“Ju njoftojmë se për momentin kemi probleme teknike me numrin e WhatsApp-it të. Ju lusim të mos dërgoni mesazhe, të dhëna personale apo fatura në këtë numër, pasi aktualisht nuk mund t’iu përgjigjemi. Deri në njoftimin e radhës, për komunikim ju lutem përdorni numrin alternativ”, thuhet në njoftimin e Facebook.
Por cilat janë llogarit që po atakohen nga këto sulme kibernetike.
“Kryesisht janë duke u afektuar bizneset se ata e kanë target, por edhe individë. Zakonisht po ndodh që një herë po ia shndërrojnë llogarinë në biznes dhe po e shfrytëzojnë atë për më dërguar spam mesazhe në target audiencat e tyre dhe pas këtij procesi përfundon llogaria e bllokuar prej Metës prej Whatsappit në këtë rast”, u shpreh Riza.
E kjo sipas ekspertit të kibernetikës, Darsej Riza ka sjellë pasoja për shumë biznese.
“Në Kosovë është një e metë e tregut tonë që shumë bizneseve, i gjithë biznesi iu sillet rreth Whatsappit, shitjet i bënë më Whatsapp, Whatsappi e përdor për faturim, për kontakt me klientë, për porosia edhe tash çka ndodhë është që jemi në një situatë ku shumë biznese të vogla që bëjnë shitje online e kanë humbur kontaktin me klientë dhe kanë përfunduar me një sasi të madhe të mallit të cilët nuk dinë as ku dëshirojnë më dërgu”, ka thënë tutje Riza.
Sipas Rizajt, ende nuk dihet se nga po vijnë këto sulme por sipas tij prapa këtyre fshihen një grup i individesh të cilët po përdorin llogaritë për interesa të tyre.
Po ashtu, pas këtyre rasteve ka reaguar edhe Njësia Nacionale për Siguri Kibernetike, KOS-CERT, duke bërë të ditur se është duke i analizuar rastet dhe në komunikim me institucionet relevante për trajtimin e tyre.



