Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas miratimit të Deklaratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Rama e ka vlerësuar si të rëndësishëm unitetin institucional të treguar në Kuvend, duke theksuar se çështjet që lidhen me luftën dhe historinë e Kosovës duhet të tejkalojnë dallimet politike.
“Sot, përballë një çështjeje që prek historinë tonë, luftën për liri dhe themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë, Kosova foli me një zë.
Ky unitet institucional në miratimin e Deklaratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë ishte jetik. Kur bëhet fjalë për luftën çlirimtare, për sakrificën e një populli dhe për të vërtetën historike të Kosovës, dallimet politike nuk duhet të jenë më të mëdha se përgjegjësia jonë e përbashkët”, ka shkruar Rama.
Rama ka theksuar se interesat shtetërore duhet të jenë mbi ato partiake dhe ditore.
“Mbi partitë është shteti. Mbi interesat ditore është e vërteta jonë historike”, ka deklaruar ai.
Në fund të reagimit, kryetari i Prishtinës ka bërë thirrje për unitet në raste që, sipas tij, prekin themelet e lirisë së Kosovës.
“Drejtësia kërkon drejtësi. Historia kërkon të vërtetën. Ndërsa Kosova, kur preken themelet e lirisë së saj, duhet të dijë të qëndrojë e bashkuar.
Sot Kuvendi e dha këtë mesazh. Dhe është një mesazh që duhet të dëgjohet fuqishëm edhe përtej Kosovës”, ka përfunduar Rama./teve1.info/







