Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka folur edhe për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gola ka shprehur bindjen se Paneli i Apelit mund t’i rrëzojë akuzat e mbetura, nëse, sipas tij, gjatë shqyrtimit të rastit zbatohen me rigorozitet standardet ndërkombëtare të drejtësisë.
“Sa u përket dënimeve të fundit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, të përmendura në raport, duhet theksuar se pretendimet qendrore të raportit të Dick Martyt nuk janë vërtetuar. Nuk pati krime kundër njerëzimit, nuk pati trafikim organesh dhe nuk pati “Shtëpi të Verdhë”. Sa u përket akuzave të mbetura, ne besojmë fuqishëm se Paneli i Apelit do t’i rrëzojë ato, nëse i zbaton me rigorozitet standardet ndërkombëtare të drejtësisë, dhe udhëheqësit e UÇK-së do të jenë të lirë”, ka deklaruar ai.
Në fjalimin e tij, Gola ka folur edhe për luftën e UÇK-së, duke e përshkruar atë si përgjigje ndaj shtypjes së popullit të Kosovës gjatë viteve të regjimit të Slobodan Millosheviqit.
“UÇK-ja u shfaq si përgjigje ndaj dekadave të shtypjes dhe zhvilloi një luftë të drejtë për ta çliruar popullin e Kosovës nga Serbia diktatoriale e Millosheviqit, e cila ishte vetë burimi i terrorit dhe i luftërave të përgjakshme në mbarë ish-Jugosllavinë”, është shprehur Gola.
Ai ka kritikuar gjithashtu Serbinë, duke thënë se ajo vazhdon të ruajë, sipas tij, një vazhdimësi ideologjike me të kaluarën e saj.
“Ndërkohë që edhe sot në Kosovë vazhdojnë të zbulohen mbetje mortore dhe varreza masive si pasojë e krimeve të kryera nga Serbia, Serbia vazhdon të glorifikojë kriminelë të dënuar për gjenocid, të strehojë terroristë dhe të përdorë retorikë luftënxitëse, përfshirë thirrje për spastrimin etnik të Kosovës”, ka deklaruar Gola.
Në fund të fjalimit, ai ka bërë thirrje që Evropa të jetë vigjilente ndaj shtrembërimit të asaj që e cilësoi si të vërtetë historike lidhur me luftërat e viteve ’90.
“Evropa duhet të mbetet vigjilente dhe të mos lejojë që barbaria e viteve ’90 të përsëritet, duke lejuar shtrembërimin dhe përmbysjen e të vërtetave historike”, ka thënë Gola.
Ndryshe, Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim për krime lufte.







