Pas dy dështimeve, të hënën arritën të mblidheshin avokatët e 21 të akuzuarve për krime lufte.
Megjthëse me vonesë, seanca e shqyrtimit fillestar u mbajtë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ky gjykim u propozua të zhvillohet në mungesë, për çka mbrojtësit e autorizuar të të akuzuarve nuk patën kundështime.
“Natyrisht japim pëlqimin që gjykimi të mbahet në mungesë”, tha avokati, Visar Rrecaj.
“E mbështes gjykimin në mungesë”, u shpreh avokati, Vehbi Halili.
“Edhe unë e mbështes fjalën e prokurorit, duke besuar se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore nga ana e prokurorisë dhe nga ana e gjykatës, për mbajtjen e gjykimit në mungesë të të pandehurve”, ka thënë tutje avokatja, Vjollca Ajeti.
Kështu, gjykata u bind që gjykimi për dëbimin e mbi 800 mijë shqiptarëve, të zhvillohet në mungesë të të akuzuarve pas shterimit të të gjitha përpjekjeve për ta siguruar prezencën e të njëjtëve.
“Erdhëm në përfundimin se gjykimi në mungesë mund të mbahet pasi që Gjykata është bindur se në rastin konkret janë bërë përpjekjet e arsyeshme për të njoftuar të akuzuarit e lartcekur për shqyrtimin fillestar, për faktin se janë të akuzuar dhe për të siguruar praninë e tyre”, u shpreh gjyqtaria, Medie Bytyqi.
Nga Prokuroria Speciale u bë e ditur se katër prej të akuzuarve mund të jenë tanimë të vdekur, por që për një gjë të tillë nuk posedojnë dokument zyrtar.
“Katër prej tyre, siç mund ta keni vërejtur nga burime të hapura, por edhe nga një informatë që ka ardhë jo e plotë. Megjithatë, ne ende sot e kësaj dite nuk kemi pranuar dokument zyrtar, pra certifikatë të vdekjes, e cila lëshohet nga autoritetet kompetente”, deklaroj prokurori special, Atdhe Dema.
Në këtë rast, seanca vazhdoi me leximin e aktakuzës.
Prokurori special, Atdhe Dema, numëroi veprimet që të akuzuarit kishin bërë mes muajve janar – qershor 1999.
“Po kryenin veprime që realizoheshin përmes një fushate të gjerë dhe të koordinuar veprimesh që përfshinin, shkatërrimin e pronës së tyre, përfshirë djegien e shtëpive dhe objekteve të infrastrukturës civile, përndjekjen dhe ndalimin arbitrar të personave në baza etnike, përfshirë sulme të armatosura ndaj fshatrave dhe qyteteve të banuara me popullsi civile shqiptare, me qëllim zhvendosjen me dhunë brenda territorit të kufijve të atëhershëm administrativ të Kosovës”, tha tutje Dema.
Këto patën si pasojë dëbimin e më shumë se 800 mijë civilëve nga Kosova.
“Në fund rezultuan me organizimin e kolonave të detyruara të civilëve shqiptar me qëllim dëbimin nga Kosova drej kufijve shtetërorë me Republikën e Shqipërisë dhe ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, e që në përgjithësi ishin rreth 862 mijë e 979 civilë të dëbuar”, ka përfunduar Dema.
Mbrojtësit e 21 të akuzuarve kanë kohë që brenda 30 ditëve ta kundërshtojnë aktakuzën.






