Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka konfirmuar se nisma ligjore e Grupit Parlamentar të PDK-së për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara tashmë është proceduar në Qeveri.
Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri ka thënë se Aleanca e mbështet këtë nismë, ndërsa ka përsëritur kërkesën që Kuvendi të miratojë një deklaratë politike për katër ish-pjesëtarët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Aleanca në këtë takim e ritheksoi atë që e ka thënë para tri ditëve, nevojën që Kuvendi i Kosovës të ketë një deklarim politik, deklaratë për Rezolutë që do të dënonte, dhe në të njëjtën kohë do të kërkonte drejtësi për katër çlirimtarët tanë në Hagë. Këtë kërkesë e theksova në takimin e Kryesisë, por në të njëjtën kohë edhe i dhashë mbështetje Grupit Parlamentar të PDK-së për nismën e tyre që tashmë është në Qeveri”, tha Tahiri.
Ai foli edhe për punën e Kuvendit, duke kërkuar që sa më shpejt të përfundojë procesi i konstituimit dhe të formohen komisionet parlamentare.
“Ne në këtë takim kërkuam që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi, të themelohen komisionet dhe të veprojmë sa më shpejt që është e mundshme, pasi që jemi vonuar shumë dhe mandatet e deputetëve na janë marrë për disa muaj. E kemi parë edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese”, tha Tahiri.
Sipas tij, përveç vonesës në funksionalizimin e Kuvendit, institucionet kanë përpara edhe një afat të shkurtër për zgjedhjen e presidentit.
“Por, në anën tjetër, kemi një afat shumë të shkurtër. Na kanë mbetur edhe 10 ditë deri te vendimi për presidentin, për të shkuar apo mos të shkuar në zgjedhje”, deklaroi Tahiri.




