Pasditen e së mërkurës, Gjykata Kushtetuese nxori vendimin e ri.
Përmes tij, konstatoi se Kuvendi i Kosovës, është konstituuar me 13 shtator.
Por, në lidhje me këtë, tha që deputetët duhet që sa më parë të zgjedhin nënkryetarin nga radhët e PDK-së.
Kjo bëri që Kuvendi i Kosovës, të premten në ora 11:00-të, ta thërras mbledhjen e kryesisë.
“Në rend dite do të jetë propozimi për formimin e komisioneve parlamentare, shqyrtimi i Raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2025, si dhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e Kryesisë”, thuhet nw njoftimin e Kuvendit tw Kosovws.
E në kryesi të organit legjislativ, përfaqësues zyrtar nuk ka Partia Demokratike e Kosovës.
Por, pavarësisht kësaj, prezencën në këtë mbledhje e ka konfirmuar sekretarja e përgjithshme e partisë.
Vlora Çitaku tha se në kryesi do të shkojnë me një kërkesë.
“Ju e dini që Partia Demokratike e Kosovës formalisht nuk ka përfaqësim në Kryesinë e Kuvendit, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës nuk është zgjedhur megjithatë ne do të jemi në Kuvend nesër, ne do të jemi në Kuvend dhe ne do të kemi një kërkesë të vetme që sa më parë edhe nesër është vonë, sa më parë të ftohet një seancë e jashtëzakonshme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës ku do të duhej të diskutohej ligji për Dhomat e Specializuara, kjo nuk është thjeshtë një kërkesë e PDK-së është një kërkesë qytetare”, u shpreh Çitaku.
Për aktgjykimin, pyetje të enjten pati edhe për ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiun.
“Nesër pas mbledhjes së Kryesisë do të kem një paraqitje për mediat. Le ta respektojmë sot heroin Afrim Bunjaku dhe le të flasim për tema të tjera nesër. Ju pres në Kuvendin e Kosovës”, tha Haxhiu.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese po ashtu konstatoi se formimi i qeverisë nuk është antikushtetues dhe se presidenti i ri duhet të zgjidhet deri me 6 tetor.







