Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, ka pritur sot në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopez.
Gjatë takimit, Dibrani e ka njoftuar Lopezin për punën, të arriturat dhe zhvillimet në SHKK, si dhe për synimet e institucionit për avancimin e mëtejmë të sistemit korrektues në Kosovë.
Dibrani ka vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me EULEX-in dhe partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se ky bashkëpunim ka ndihmuar në zhvillimin profesional të SHKK-së dhe në ngritjen e standardeve të shërbimit.
Në takim është diskutuar edhe për disa prej projekteve dhe iniciativave të SHKK-së që kanë marrë vlerësime ndërkombëtare.
Ndër to janë Çmimi i Ekselencës nga International Corrections and Prisons Association (ICPA) për projektin “Rehabilitimi Gjithëpërfshirës dhe Kujdesi Shëndetësor”, si dhe përfshirja ndër pesë iniciativat më të mira të EuroPris Prison Award me projektin “Art from Prison: Transforming Incarceration into Opportunity”.
Shefi i EULEX-it, Antero Lopez, e ka përgëzuar SHKK-në për të arriturat dhe ka vlerësuar lart punën e institucionit.
Sipas Lopezit, Shërbimi Korrektues i Kosovës është lider jo vetëm në rajon, por mund të shërbejë edhe si shembull për shumë shtete evropiane.
Ai ka veçuar veçanërisht rezultatet në fushën e rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të dënuar.
“Sot Kosova është duke bërë një punë mjaft të mirë në kthimin e të burgosurve në shoqëri”, është shprehur Lopez.
Në fund të takimit është ritheksuar gatishmëria për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet SHKK-së, EULEX-it dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, me fokus në forcimin e mëtejmë të sistemit korrektues, zhvillimin profesional dhe avancimin e proceseve të rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të dënuar./teve1.info/







